19 Nëntor 2024

Lufta kundër korrupsionit, mision i pamundur për Kosovën

Prishtinë, 9 dhjetor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)/Transparency International Kosova (TIK), me rastin e ditës ndërkombëtare kundër korrupsion, ka organizuar  një tryezë diskutimi me temën “Si e gjen Kosovën dita ndërkombëtare kundër korrupsionit”, me qëllim të diskutimit të efikasitetit të institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit.

Pjesëmarrësit kanë vlerësuar se edhe më tej ka mungesë të madhe të efektshmërisë në luftimin e kësaj dukurie. Lufta kundër korrupsionit është thënë se duhet të jetë prioritet i institucioneve vendore.

Merita Mustafa - Menaxhere e Projektit Transparenca dhe Llogaridhënia në Prokurimin Publik (KDI), duke folur rreth Indeksit Global të Perceptimit të korrupsionit, raport ky i Transparency International e që rendit vendin tonë mjaft poshtë, ka thënë se ndikues janë një varg ngjarjesh të cilat dëshmuan inferioritetin e organeve ndjekëse dhe paaftësinë  institucionale për t’iu përgjigjur  aferave korruptive.

Sipas saj, rast konkret ishte ai i privatizimit të PTK-së, ku u ngritën dilema shumë serioze lidhur me fituesit, në anën tjetër Kuvendi nuk arriti të themeloj komision hetues. Mustafa ka përmendur edhe raporte tjera ndërkombëtare dhe raste korruptive tashmë të ditura.

“KDI në dy vitet e fundit i ka kushtuar një vëmendje të posaçme  kontratave të Prokurimit Publik nga institucionet publike në Kosovë, nga të cilat kemi indikacione se prokurimi publik mbetet forma më e shpeshtë e pasurimit të paligjshëm të zyrtarëve të lartë publik. Andaj për të adresuar pikat e dobëta të këtij problemi ne mendojmë se duhet një vëmendje shumë më e madhe e institucioneve të ndjekjes”, ka thënë ajo.

Enver Peci, Kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka vlerësuar se gjyqësori ka pasur probleme të trashëguara dhe sipas tij, kjo ka ndikuar edhe ne perceptimin e qytetarëve.

Ai ka shtuar se aktualisht janë duke u bërë reforma në gjyqësor dhe është duke u punuar për tu kryer lëndët e vjetra. Sipas tij, problemi më i madh në reformë është se nuk është duke pasur kandidatë të kualifikuar për gjyqtarë.

“Ky vit, ka për të qenë vit vendimtar në luftën kundër korrupsion sa i përket gjyqësorit vendor. Vetëm këtë vit është rritur numri i rasteve të aktakuzave të korrupsionit, në 122 sosh”, ka bërë me dije Peci.

Besim Kelmendi, Prokuror në Prokurorinë Speciale të Kosovës ka theksuar se planet dhe strategjitë nuk janë të mjaftueshme në luftën kundër korrupsion, por duhet vetë njerëzit. Sipas tij, janë bërë disa lëvizje pozitive brenda Prokurorisë, por problem po mbesin informatorët ose dëshmitarët.

“Një ndër gjërat që e pengon në efektshmëri prokurorinë, është fakti që barra e provës nuk i është lënë të akuzuarve, si dhe mungesa e policisë gjyqësore”, ka theksuar Kelmendi.

Nga ana tjetër, Avni Zogiani, Drejtor i Çohu, ka thënë se luftën kundër korrupsion e ka kidnapuar EULEX-i dhe nuk lenë që zyrtarë të lartë të akuzohen për shkak se gjithçka e lidh me suksesin e negociatave me Serbinë. “Kjo kompetencë duhet t’i hiqet EULEX-i”, ka thënë Zogiani. Ai po ashtu ka folur për një rast që ka të bëjë me garancionin bankar në dhënin e licencës për operatorin e dytë telefonik në Kosovë.

Haki Demolli, deputet i Kuvendit të Kosovës nga LDK, ka tërhequr vërejtjen se Kosova është në nivel me shtetet afrikane sa i përket korrupsionit, madje sipas tij, një numër i tyre qëndrojnë edhe më mirë se Kosova. Ai ka thënë se Qeveria është seriozisht e infektuar me korrupsion. “Krejt çka bënë Qeveria në luftën kundër korrupsion, është demagogjia boshe me sloganin zero tolerancë ndaj korrupsionit”, ka thënë Demolli.

Ahmet Isufi, deputet nga AAK ka kërkuar që të përforcohet argumentimi në rastet kur institucionet akuzohen për korrupsion, duke përmendur shembullin e Komisionit që ai drejton, i cili ka mbikëqyr ministritë e linjës se si e kanë shpenzuar buxhetin.

Pjesëmarrës në këtë debat kanë folur edhe për Kodin penal dhe të procedurës penale, duke thënë se duhet të përfshihen dispozita që barra e provës t’i kaloj të akuzuarve dhe themelimi i policisë gjyqësore. Po ashtu është ngritur edhe çështja e faturave të rrymës, për çka është kërkuar të bëhen hetime nga Prokuroria.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)