17 Nëntor 2024

Lufta kundër korrupsion vetëm zotim publik

Prishtinë, 26 nëntor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) / Transparency International Kosova (TIK) ka mbajtur sot një tryezë ku është diskutuar mbi “Integritetin e Sistemit të Prokurimit Publik”, dhe të  gjeturat e raporteve vendore e ndërkombëtare përfshirë këtu raportin e fundit të progresit të Komisionit Evropian për Kosovë të vitit 2014.

Pjesëmarrës në këtë takim ishin përfaqësues të institucioneve publike, bizneseve dhe organizatave të shoqërisë civile si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera ndërkombëtare në Kosovë.

Artan Canhasi, Menaxher i Programit të Transparencës dhe Kundër Korrupsionit në KDI/TIK, duke përmbledhur të gjeturat kryesore në prokurimin publik, konstatoi nevojën e reformimit të këtij sektori. Sipas Canhasit, institucionet duhet të marrin një varg të masave për të siguruar shmangien e praktikave të dëmshme në prokurim të cilat dëmtojnë paranë publike. Ai ka ilustruar disa raste me potencial korruptiv të cilat janë identifikuar gjatë monitorimit të tenderëve të mirëmbajtjes së rrugëve, blerjes së veturave të policisë dhe blerjes së stentave.

Louise Taylor, Zëvendës Ambasadorja Britanike në Kosovë, ka folur për nevojën që qeveria e re të fokusohet në luftën kundër korrupsion për të arritur rezultate konkrete në këtë fushë. Ajo po ashtu ka thënë se Kosova në raportin e progresit të Komisionit Evropian, sa i përket prokurimit publik ka shënuar progres të limituar. Ambasada britanike në Kosovë, ka mbështetur KDI/TIK në projektin e kompletimit të bazës ligjore kundër korrupsion, për të vazhduar me monitorimin e tri ministrive të Qeverisë së Kosovës në procedurat e prokurimit publik. Këtë vit mbështetja është fokusuar në ngritjen e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile në nivel lokal, për të monitoruar prokurimin publik.

Safet Hoxha, Kryetar i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), ka deklaruar se publiku dhe shoqëria civile në Kosovë kanë një besim shumë të ulët në prokurimin publik në Kosovë. Sipas tij ky perceptim i qytetarëve duhet të trajtohet, duke rritur nivelin e transparencës dhe llogaridhënies në këtë sektorë. Sipas tij, në fushën e prokurimit viteve të fundit ka pasur progres dhe zhvillime pozitive, siç është rasti i fillimit të kontratave të centralizuara (kontrata për naftë), hartimi i indeksit të çmimeve dhe monitorimi i procedurave të tenderit nga KRPP.

Shqipdon Fazliu, Koordinatorë Kombëtar kundër krimeve ekonomike, ka thënë se Raporti i Progresit të Komisionit Evropian ka gjetur se prokurorët nuk e njohin fushën e prokurimit publik dhe hetimin e rasteve të krimeve inteligjente. Ai ka thënë se këtë problem e ka ngritur në mbledhjet e Këshillit Prokurorial dhe se për këtë pret që ky institucion të marr masa. Po ashtu Fazliu ka shtruar nevojën e bashkëpunimit më të madh me Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës, pasi që të njëjtit kanë qasje dhe dije lidhur me shume shkelje në prokurim publik.

Artan Venhari nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, konstatoi se kjo zyrë nuk mund të zëvendësoj hetimet penale të Prokurorisë së Shtetit, pasi që mandati i ZAP-së është i kufizuar dhe nuk është në misionin e saj të hetoj, por të auditoj organizatat buxhetore. Hartimi i indeksit të çmimeve dhe kontratat e centralizuara sipas Venharit, janë një ndihmesë e madhe për institucionet publike dhe organizatat buxhetore, që më lehtë t’i qasen procedurave të prokurimit. Ai ka përmendur një rast në Zyrën e Auditorit, ku duke u bazuar në indeksin e çmimeve të KRPP-së është anuluar një procedurë tenderuese.

Pjesëmarrësit e tjerë në këtë takim kanë vlerësuar se mungon qasja e sinqertë në luftën kundër korrupsion në Kosovë dhe se institucionet publike nuk e trajtojnë këtë problematikë në përputhje me rreziqet. Aty po ashtu janë përmendur raste të tjera të cilat publikohen në media nga gazetarët hulumtues dhe organizatat e shoqërisë civile, mirëpo mungon reagimi institucional. Po ashtu sanksionimet simbolike që shqiptohen nga sistemi gjyqësor nuk parandalojnë individët të kryejnë vepra korruptive.

Hajrullah Çeku nga Ec ma Ndryshe, tha se të gjitha institucionet dhe të gjithë zyrtarët vazhdojnë të zotohen se do ta luftojnë korrupsionin e në anën tjetër nuk ndërmarrin asgjë në këtë drejtim. Sipas Çekut ne po vazhdojmë ta gënjejmë njëri tjetrin duke u zotuar për luftë kundër korrupsion dhe për transparencë duke krijuar iluzion se jemi në rrugë të drejtë që një ditë ta përmirësojmë këtë gjendje. Besimi i ulët i publikut në prokurimin publik, vjen si pasojë e menaxhimit të keq të parasë publike dhe ky nuk është thjesht percepcion i pabazuar. Çeku ka kritikuar edhe qasjen e Prokurorisë së Shtetit e cila kërkon që nga Auditori që të dërgoj disa raporte në Prokurori, kur raportet e auditimit janë publike për të gjithë. Fidan Kalaja nga Lëvizja Fol ka thënë se nuk mund të flitet për transparencë të prokurimit publik në Kosovë, përderisa asnjë kontratë nuk është publike, madje edhe me kërkesë për qasje në dokumente në shumicën e rasteve qasja mohohet në dokumente të tilla. Sipas tij është interes i politikës që ky sektor të mos jetë transparent dhe publik.

Në këtë tryezë dolën edhe rekomandime për të rritur integritetin e sistemit të prokurimit publik sikurse në vijim:

•    Institucionet e ndjekjes penale të hetojnë rastet e shkeljeve ligjore me dëme materiale të buxhetit të Kosovës. P.sh. raportet e auditorit dhe vendimet e OSHP-së mund të shërbejnë si bazë për fillimin e hetimeve.;

•    Publikimi i kontratave të prokurimit publik nga autoritetet kontraktuese;

•    Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) duhet të shtoj monitorimin e agjencive buxhetore, për të identifikuar dhe korrektuar të gjitha problemet në sistemin e prokurimit publik;

•    Qeveria e Kosovës të miratojë listën e artikujve të përbashkët të Agjencisë Qendrore të Prokurimit Publik dhe të lejohet AQP që të fillojë me prokurime të centralizuara; dhe

•    Të fillohen procedurat për prokurimin elektronik dhe të fillohet përgatitja e institucioneve dhe bizneseve për këtë proces.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)