22 Dhjetor 2024

Lufta e Rusisë në Ukrainë mund të shkaktojë recesion global

Washington, 26 maj - Udhëheqësi i Bankës Botërore, David Malpass, ka paralajmëruar se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të shkaktojë recesion global, pas rritjes së çmimeve të ushqimit dhe energjisë.

Ai ka thënë në një takim me bizneset në Shtetet e Bashkuara se është e vështirë “të gjenden rrugë për ta shmangur recesionin”.

Sipas tij edhe disa seri të masave izoluese në Kinë janë duke shtuar shqetësimet për situatën ekonomike.

Komentet e tij përbëjnë paralajmërimin e fundit se ekonomia botërore mund të tkurret.

“Teksa shikojmë bruto-prodhimin e brendshëm (GDP)… është e vështirë të shohim shmangie të recesionit”, ka thënë Malpass, pa dhënë detaje tjera.

“Vetëm ideja e dyfishimit të çmimeve të energjisë, mjafton për të nxitur recesionin”, ka shtuar ai.

Muajin e kaluar, Banka Botërore ka zvogëluar parashikimet për rritje ekonomike këtë vit, në 3.2 për qind.

Bruto-prodhimi i brendshëm (GDP) është masë për të matur rritjen ekonomike dhe ndër mënyrat më të rëndësishme për të matur sa mirë apo keq është duke performuar një ekonomi, dhe vëzhgohet nga afër prej ekonomistëve dhe bankave.

Sipas kreut të Bankës Botërore, nëse Rusia ndal furnizimet me gaz, kjo gjë mund të shkaktojë “ngadalësim të konsiderueshëm” të ekonomisë në rajon.

Ai ka thënë se çmimet e larta të energjisë veçse janë duke rënduar mbi Gjermaninë, e cila përbën ekonominë më të madhe në Evropë dhe të katërtën në botë.

Malpass ka thënë se shtetet në zhvillim po përballen edhe me mungesë të ushqimit dhe energjisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)