Lojrat e fatit në Itali infektojnë gjithnjë e më shumë njerëz
Romë, 4 janar - Italia është bërë një treg i madh i lojrave të fatit, më i madhi në Evropë dhe ndër më të mëdhenjtë në botë, gjë që i ka dëmtuar shpenzimet e konsumatorëve në një kohë kur ekonomia po kalon nëpër një recesion të madh.
Italia është ekonomia e tretë më e madhe e eurozonës. Virusi i kumarit është përhapur mjaft, duke prekur edhe vendin fqinj me Italinë, Shqipërinë.
Në fund të janarit, në Itali do të fillojë tenderi i një mijë lejeve për hapjen e kazinove të reja dhe kjo ka shtuar shqetësimet se numri i kumarxhinjve do të rritet.
Në një lagje pranë mureve të lashta të Romës, mund të luash lojra fati të çdo lloji, me monedha, bingo e të tjera.
Mund të luash nëpër bare apo në një sallë të dikurshme kinemaje. Ndërkohë, dyqanet shesin lloj-lloj biletash llotarie. Madje edhe në një zyrë postare shiten karta të tipit scratch-and-win.
Shumë nga njerëzit që vijnë këtu thonë se janë klientë të rregullt por merren me baste të vogla.
Lojrat e fatit janë tani një virus që është përhapur mjaft në Itali dhe që, si shumë dukuri të tjera ka prekur edhe vendin fqinj, Shqipërinë.