Llamkos-i, gjigant prodhues i Kosovës
Vushtri, 25 dhjetor - Kontejnerë luksozë akomodimi është vetëm një ndër projektet që ka zhvilluar Fabrika e Llamarinës Llamkos gjatë vitit 2013. Ky kontejner mund të shndërrohet në një hotel apo dhomë lëvizëse dhe të transportohet në cilindo vend që klienti dëshiron. Mund të përdoret edhe si shtëpi banimi apo shtëpi për piknik. Rreth 120 sosh janë në proces për tu eksportuar.
Fabrika e Llamarinës Llamkos në Vushtrri mbetet një ndër bizneset më të suksesshme në Kosovë edhe për vitin 2013. Punëdhënës i mbi 450 punëtorëve, pronari i ekipit të futbollit Llamkos Kosova, një ndër eksportuesit më të mëdhenj në vend, investues i mbi 40 milionë eurove si dhe fitues i kontratës mbi 20 milionë dollarë amerikanë për blerjen e koncentrateve të plumbit dhe zinkut nga Trepça, janë disa nga faktet me të cilat përfundon vitin kjo fabrikë.
Të gjitha prodhimet i kanë të certifikuara me ISO 9001: 2008 dhe janë në përputhje me Euro Normat, ndërsa projekte madhore, përveç shitjes me shumicë të llamarinës së zinkuar, konsiderojnë edhe furnizimin me 120 mijë kg sistem ventilimi për Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, ofrimin e 1 260 kontejnerëve të mbeturinave për iniciativën Ta Pastrojmë Kosovën, eksportimin e vazhdueshëm të produkteve për projekte të ndryshme në vende të BE-së si dhe një risi për të cilën rrallë është dëgjuar më parë: prodhimin e kontejnerëve luksozë. Këta kontejnerë mund të shndërrohen në hotele apo dhoma lëvizëse dhe të transportohen në cilindo vend që klienti dëshiron. Mund të përdoren edhe si shtëpi banimi apo shtëpi për piknik. Rreth 120 sosh janë duke u bërë gati për tu eksportuar. Sa i takon të bërit biznes, klimën e investimeve në Kosovë, kornizën ligjore dhe atë fiskale e konsiderojnë të favorshme. Duhet theksuar se infrastruktura ligjore në Kosovë është e njëjtë ashtu si për investitorët e huaj edhe ata vendës, pra klima e investimeve është shumë tërheqës për ne, si dhe çdo biznes tjetër të mundshëm të huaj, ka theksuar Arlind Jupolli, anëtar Bordi i Fabrikës Llamkos.
Ai ka shtuar se arritja e një operimi të këtillë biznesor nuk ka qenë edhe aq e lehtë. Kjo duke pasur parasysh edhe problemet e pengesat me të cilat janë ballafaquar: Transporti është një ndër problemet kyçe, transporti hekurudhor në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk është funksional, gjë që rrit shpenzimet tona. Gjithashtu, problem tjetër është mungesa e lëndës së parë në vend dhe rajon gjë që na dikton të sigurojmë atë në vendet e Evropës, ka theksuar Jupolli.
Sa u takon planeve për vitin e ardhshëm, ai ka bërë me dije se Llamkos është në fazën e përgatitjeve teknike për ta bërë instalimin e linjave të reja të prodhimit, investim ky që arrin vlerën prej 48 milionë eurosh. Rezultatet e këtij investimi do të kenë ndikim enorm në ekonominë e përgjithshme të Kosovës nëpërmjet shtimit të mbi 250 vendeve të reja të punës, rritjes së eksportit si rezultat i zgjerimit të kapaciteteve prodhuese, si dhe kontribuuimit të mëtejmë ndaj komunitetit, ka theksuar ai. Gjithashtu, ndikim do të ketë edhe në mjedis më të pastër, ku si rrjedhojë do të shfrytëzohet një sasi e madhe e mbetjeve të hekurishteve.