Lituania planifikon të bëhet edhe zyrtarisht pjesë e Eurozonës
Vilnius, 13 mars - Lituania planifikon që me 2015 të bëhet edhe zyrtarisht pjesë e Eurozonës. Presidentja e Lituanisë Dalia Grybauskaite ka thënë se kriza ekonomike nuk do të thotë edhe krizë e euros.
"Edhe vendet që nuk e kanë futur euron po përballen me krizën ekonomike. Në anën tjetër, disa vende që kanë futur në përdorim euron, nuk kanë kurfarë vështirësish. Situata qëndron kështu: të gjitha nëntë vendet që e kanë nënshkruar marrëveshjen duan që sa më parë të bëhen pjesë e eurozonës. Pra ky është një obligim", ka theksuar ajo.
Grybauskaite ka pohuar se Lituania e ka futur de facto euron në përdorim, sepse "kursi i monedhës sonë është i lidhur me euron. Politika jonë monetare është e lidhur pra me Bankën Qendrore Evropiane dhe ne nuk kemi kurfarë instrumentesh monetare të veçanta. Ka pra shumë shkaqe pse duhet që sa më parë të bëhemi pjesë e eurozonës."
Sa i përket shkurtimeve të buxhetit ajo ka thënë se Lituania ka shkurtuar të dhënat e shtetit me 12 %, sepse nuk ka pasur ndonjë zgjidhje tjetër.
"Edhe rrogat e nëpunësve të shtetit janë shkurtuar. Rroga ime për shembull është shkurtuar me 30 %, ndërkohë që janë zvogëluar edhe rrogat e të tjerëve në qeveri. Nëse njerëzve u thua se duhet të jenë të duruar dhe duhet të vuajnë, atëherë duhet të vuash edhe ti me ta dhe duhet të shërbesh si shembull. Rrogat tani po rriten ngadalë dhe kjo rritë edhe mirëbesimin mes politikanëve dhe qytetarëve", ka nënvizuar Grybauskaite.