Lipjani dhe Gjakova i bashkohen zhvillimit Ekonomik të BE
Prishtinë, 31 mars - Komunat e Lipjanit dhe Gjakovës i janë bashkuar procesit të Zhvillimit Ekonomik Rajonal të BE-së (EURED) në Kosovë, përkatësisht Agjencive për Zhvillim Rajonal Qendër dhe Jug.
Ky hap konfirmon procesin e EURED-it si një instrument efikas për përkrahjen e aktiviteteve të bashkëpunimit ndërmjet komunave të cilat shpijnë drejt përmirësimit të kushteve të jetesës të qytetarëve të Kosovës.
Që nga themelimi në vitin 2008, procesi i EURED-it i udhëhequr nga pesë agjenci për zhvillim rajonal, ka promovuar zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës, pajtimin e komuniteteve dhe ndërtimit të kapaciteteve komunale për pjesëmarrje në përpjekjet e Kosovës për integrime evropiane.
Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian përkrahë procesin përmes bashkëfinancimit të veprimtarisë së pesë agjencive për zhvillim rajonal dhe skemave të granteve EURED, si dhe ofron asistencë teknike për të ndërtuar dhe konsoliduar procesin e EURED-it.
Komuna e Kllokotit, Ranillugit, Parteshit, Graçanicës dhe Zubin Potokut i janë bashkuar procesit në vitin 2010. Me Lipjanin dhe Gjakovën, numri i komunave anëtare është 35. Leposaviqi dhe Zveçani janë dy komunat e vetme që mbesin për tiu bashkuar kornizës së EURED-it.
Zyra ndërlidhëse e KE-së aktualisht financon 19 projekte të EURED-it në pesë rajone ekonomike, vlera të cilave është mbi 7 milionë euro, që financohen nga skema e granteve të EURED-it për vitin 2010.
Skema aktuale e grantit të EURED-it ka filluar në shkurt dhe ka një vlerë totale rreth 5 milion euro.
Komunat dhe organizatat tjera jo-për-profit, ftohen që deri më 30 maj 2011 të dërgojnë aplikacionet e tyre të cilat duhet të jenë në harmoni me strategjitë zhvillimore të pesë rajoneve. Në ftesat për propozime mund të marrin pjesë vetëm komunat që janë pjesë e procesit të EURED-it.