Ligjvënësit i rikthehen betejës mbi buxhetin
Washington, 29 tetor - Një grup i përzgjedhur ligjvënësish demokratë dhe republikanë do të takohen kësaj jave në kërkim të një plani dypartiak rreth të ardhmes fiskale të Shteteve të Bashkuara.
Në këtë komision dy-partiak do të përfshihen ligjvënës të rëndësishëm nga komisionet buxhetore të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit të cilët, për disa vite, nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë në një marrëveshje për shpenzimet federale dhe për taksat.
Komisioni i posaçëm ka për qëllim ngushtimin e dallimeve për buxhetin mes Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga Republikanët dhe Senatit të kontrolluar nga Demokratët. Ajo gjithashtu ka edhe një qëllim më të madh, sipas kryetares të Komisionit Buxhetor të Senatit, Patty Murray:
Ti tregojmë popullit amerikan se si Kongresi mund të punojë dhe të sigurohemi që ekonomia jonë do të rritet dhe se njerëzit po i rikthehen punës.
Kjo ndjenjë u pasqyrua edhe nga fjalët e kryetarit të Komisionit Buxhetor të Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan:
Qëllimi ynë është të punojmë mirë për popullin amerikan, ta kemi borxhin nën kontroll, të pakësojmë defiçitin dhe të marrim masa që mendojmë se mund të rrisin ekonominë dhe hapin vende pune.
Ngritja e komisionit u parashikua në marrëveshjen e arritur në fillim të këtij muaji, që i dha fund mbylljes dy-javore të qeverisë federale dhe bëri të mundur ngritjen e tavanait të borxhit. Grupi dypartiak ka kohë deri në mes të dhjetorit të bjerë dakord për një marrëveshje buxheti. Demokratët, përfshirë presidentin Barak Obama, duan të shtojnë taksat për shërbime të brendshme:
Ne duhet të duhet të investojmë për ato programe që ndihmojnë rritjen ekonomike, që do të krijojnë vende pune, të zgjerojnë klasën tonë e mesme, dhe të krijojnë më shumë mundësi për të rinjtë.
Nga ana tjetër, Republikanët duan shkurtime të mëtejshme buxhetore. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner:
Problemet që po ndikojnë në vendin tonë janë akoma të pranishme. Ne po shpenzojmë më shumë para se sa po marrim.
Mos-arritja e një marrëveshje të buxhetit deri në dhjetor do të rrezikonte një mbyllje të qeverisë në janar, kur skadon afati i buxhetit të tanishëm. Ligjvënësit e të dyja palëve thonë se ata nuk kanë dëshirë të shohin shërbimet federale të ndërpriten për herë të dytë, por kjo mbetet për tu parë nëse dëshira do të sjellë një marrëveshje dypartiake që mund miratohet nga të dyja dhomat e ndara politikisht të Kongresit.