Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike i miratuar pa përfshirjen e të gjitha palëve nuk gjenë ende zbatim
Prishtinë, 27 korrik - Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka mbajtur sot konferencën për medie me titull “Pasqyrë e zbatimit të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe mësimet e nxjerra”.
Konferenca u mbajt nga Dardan Abazi, Drejtor i Programit dhe Hulumtues i Lartë dhe znj. Kaltrina Rexha, Asistente Hulumtuese/Koordinatore e Projektit nga INDEP.
Gjatë kësaj konference, hulumtuesit shpalosën shpalosën monitorimin 8 mujor që INDEP i ka bërë zbatimit të Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike, efekteve të saj por edhe ngecjeve që janë hasur në proces.
Gjithashtu gjatë kësaj konference, janë shpalosur edhe rekomandimet për përpilimin e pakove të reja.
Në konferencë u publikua punimi me titull “Pasqyrë e zbatimit të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike dhe mësimet e nxjerra”.
Punimi është realizuar në kornizën e procesit të monitorimit të zbatimit të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.
Mes tjerash, punimi thekson se Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike është miratuar pa përfshirjen në diskutim të të gjitha palëve të interesit, përfshirë palët zbatuese, se disa nga masat nuk kanë gjetur ende zbatim edhe pas 8 muajve miratim të ligjit dhe se disa nga masat bien ndesh me periudhën e draftimit dhe atë të miratimit të ligjit.
Si rekomandime, INDEP-i rekomandon institucionet të sigurohen që çdo pako tjetër që miratohet në të ardhmen, të jetë paraprakisht e konsultuar me të gjitha palët e përfshira në proces, që të gjithë akterët e përfshirë në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Statistikave të Kosovës të mbledhin të dhëna statistikore mbi shfrytëzimin e mjeteve në mënyrë që këto të dhëna të jenë të qasshme për të gjithë dhe të mund të jenë të matshme.
Në këtë mënyrë do rritej transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve të Kosovës ndaj qytetarëve.
Abazi theksoi gjithashtu se në Pakot e ardhshme duhet të kenë objektivat e qarta dhe matshme duke ndihmuar kështu në rimëkëmbjen ekonomike të vendit.