15 Nëntor 2024

Ligji për investimet strategjike i nevojshëm

Prishtinë, 1 mars - Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar i komisionit, mbajti sot dëgjim publik, në të cilin u debatua lidhur me Projektligjin për investimet strategjike në Republikën e Kosovës.

Në emër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), foli Rexhep Bllaca, drejtor i Departamentit Ligjor në këtë ministri.

Ai tha se MTI-ja, me këtë ligj synon të kompletojë pakon legjislative për të krijuar ambient më të përshtatshëm për investitorët. Për ligjin në fjalë, Rexhepi vuri në dukje se ai parasheh sektorët ekonomikë në të cilët duhet investuar, shkurtimin e proceduarve administrative të të bërit biznes, si dhe mekanizmat mbikëqyrës për implementimin e planeve investive.

Në emër të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), foli Lumnije Hashani. Sipas saj, disa nga nenet, përkatësisht neni 20, 24 dhe 27, duhet pësuar ndryshime. Ajo më tej sqaroi se OEK-u, vërejtjet dhe rekomandimet lidhur me këtë projektligj komisionit do t\'ia ofrojë me shkrim.

Instituti GAP, ndërkaq, përfaqësohej nga Berat Thaçi, i cili paraqiti rezultatet e një krahasimi të kryer nga ana e tyre, e që kishte të bënte me Projektligjin për investimet strategjike në Republikën e Kosovës, të sponsorizuar nga MTI-ja, me ligjet e rajonit.

Ai vlerësoi se Ligji nuk është forma e vetme e tërheqjes së investitorëve, ndërkaq, tërhoqi vëmendjen në rëndësinë e përshtatjes së ligjit me specifikat ekonomike të vendit. Po ashtu, ai kërkoi që ligji të sigurojë transparencë gjatë realizimit të investimeve.

Lidhur me këtë Projektligj, opinionin e vet e paraqiti edhe Brahim Selimaj, nga kompania \"Elsa\". Ai tha se ligji duhet të parashohë dhe analizojë saktë mundësinë e gjenerimit të vendeve të punës, ndërkaq, sipas tij, sektori në fushën e bujqësisë është më i përshtatshëm për këtë.

Dren Ajeti, nga Grupi për Studime Juridike dhe Ekonomike, vlerësoi se ligji në dispozitat e tij duhet të përcaktojë qartë konfliktin e interesit, si dhe investimet e ndaluara.

Në favor të ligjit është shprehur edhe Latif Kryeziu nga kompania \"Al Petrol\", i cili njëherësh u angazhua që në dispozitat ligjore të përcaktohen qartë sektorët strategjikë për investime. Ai po ashtu vlerësoi se në ligj duhet paraparë mekanizma adekuat, nisur nga nivelet më të ulta (komunale), trajtimi i mirëfilltë i investitorëve.

Për rëndësinë e investimeve foli edhe Gani Maliqi nga kompania \" Peshter Mining J. S. C.\", e cila ushtron veprimtari, kryesisht minerare. Ai u shpreh i kënaqur që Projektligji për investimet strategjike në Republikën e Kosovës është në procedurë të miratimit, ndërkaq, u angazhua që investimet të parashihen edhe në sektorin minerar, sepse tha ai, Kosova ka mjaft resurse të kësaj fushe.

Pas kësaj, kryetari i komisionit Mustafa, vlerësoi se gjendja jo e mirë ekonomike në Kosovë, është si pasojë e investimeve të vogla nga jashtë.

Për ligjin folën, më pas, edhe deputetët, Besim Beqaj dhe Blerim Grainca.

Beqaj me këtë rast vlerësoi se neni 2 i projektligjit duhet riformuluar, ndërkaq, deputeti Grainca u shpreh se me këtë projektligj duhet paraparë edhe investimet në pylltari dhe në disa sektorë të tjerë me interes për vendin. Po ashtu, Grainca vlerësoi se ligji duhet të garantojë siguri të plotë për investitorët, duke ua ulur po ashtu edhe kriteret e investimeve.

Në përmbyllje të debatit, komisioni kërkoi nga të pranishmit që rekomandimet e tyre t\'i dërgojnë edhe me shkrim, të cilat do të trajtohen më pas gjatë fazës së amendamentimit të projektligjit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)