Ligji për Buxhetin dorëzohet në Gjykatën Kushtetuese
Prishtinë, 1 gusht - Deputetë të Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Deputeti i Lëvizjes për Bashkim, Agim Kuleta dhe Deputetet i E15 Muhamet Mustafa e Emin Gërbeshi deputet i pavarur, dorëzuan kërkesën lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit NR. 04/L-165 Për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2013.
Arsyet e kësaj kërkese, i paraqitën Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje!, Albana Gashi dhe drejtuesi i Grupit Parlamentar Visar Ymeri.
Albana Gashi ka thënë se me plotësim ndryshimin e ligjit të buxhetit që u miratua në Kuvend po ndodh një ndryshim rrënjësor i sistemit fiskal e financiar në Kosovë.
Ajo ka thënë se sipas këtij ligji të sponsorizuar nga Qeveria Thaçi, të gjitha paratë publike që do të mblidheshin në dy pikat doganore këta kanë parashikuar t'i dërgojnë në këtë fond, që po quhet Fondi zhvillimor.
"Sa herë që kemi folur në Komisionin për Buxhet dhe Financa për fonde të tilla të cilat do trajtonin çështje të caktuara që do ta përmirësonin jetën e qytetarit, kjo Qeveri na ka thënë se krijimi i fondeve të tilla është në kundërshtim me Ligjin për menaxhimin e financave publike dhe si i tillë është i papranueshëm, ndërkohë që nga negociatat me Serbinë doli një nen i tillë që edhe pse është në kundërshtim me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës, kjo qeveri ka dëshmuar tashmë shumë herë që nuk i përfill ligjet e Kosovës nëse këtë e kërkon Serbia", ka theksuar Gashi.
Ky fond që në ligj po quhet Fondi zhvillimor i mirëbesimit sipas saj nuk është madje as fond por është në fakt buxhet paralel i asociacionit të komunave me shumicë serbe sepse i ka edhe të hyrat e dedikuara edhe shpenzimet e dedikuara dhe këto janë dy funksionet kryesore që e përbëjnë buxhetin..
"Pra, praktikisht Ligji në fjalë me ketë nen do të krijonte një buxhet paralel të destinuar për asociacionin e komunave që doli nga negociatat Thaçi - Daçiç", theksoi ajo.
Ndërkaq deputeti Visar Ymeri se "E kemi thënë atëherë kur e kemi kontestuar marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese, që do ti dërgojmë edhe të gjitha ligjet që rrjedhin nga kjo marrëveshje, qoftë drejtpërdrejtë, qoftë në mënyrë indirekte."
Ky ligj, pra Ligji për Buxhetin, më saktësisht Neni që e themelon Fondin e mirëbesimit për zhvillimin e veriut sipas Ymerit rrjedh drejtpërdrejt nga marrëveshja, më saktësisht nga plani i zbatimit.
"Ju e dini që pas marrëveshjes është dakorduar edhe plani i zbatimit, që është i përbërë gjithsej nga gjashtë pika kryesore dhe në pikën e gjashtë palët zotohen që do ti zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri atëherë në negociatat apo në dialogun që quhej atëherë teknik, si dhe ato që janë arritur në takimet mes Thaçit dhe Daçiqit", pohoi Ymeri.
Marrëveshja për fondin për veriun sipas tij është pikërisht marrëveshje që e kanë arritur Thaçi me Daçiqin dhe që nuk figuron drejtpërdrejt në marrëveshjen e 19 prillit, por që është si rrjedhojë apo plotësim i zbatimit të kësaj marrëveshje.
"Prandaj, ne kemi vendosur që ta dërgojmë edhe këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, për shkak se është ligji, i cili përveç se i shkel ligjet pozitive në Kosovë, pra është shkelur ligji për menaxhim me financa publike, çka është edhe më keq, ky fond apo ky buxhet që po krijohet me Ligjin për Buxhetin, është në fakt edhe shkelje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, veçanërisht e frymës apo karakterit unitar të shtetit të Kosovës që garantohet me Kushtetutë dhe e neneve përkatëse që e garantojnë këtë karakter unitar si dhe barazinë në mes qytetarëve karshi të mirave publike, që në këtë rast janë paratë publike", theksoi në fund Ymeri.