Ligji i punës me shumë mangësi
Prishtinë, 15 korrik - Nën kryesimin e ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale Nenad Rashiq është mbajtur takimi i radhës i Këshillit Ekonomiko-Social, këshill ky i cili tanimë në përfaqësim ka një numër të ekspertëve për çështje sociale dhe ekonomike mbi dialogun e mirëfilltë dhe këshillëdhënës për zhvillimet e politikës socio-ekonomike në vend.
Në këtë takim punues ministri Rashiq, që është edhe kryesuesi i këtij këshilli i shoqëruar nga zyrtarë tjerë të MPMS-së falënderoi anëtarët e KES-it për angazhimet e tyre që po i realizojnë përmes takimeve të rregullta në Këshillin Ekonomiko-Social dhe i njoftoj ata për aktivitetet e fundit që janë ndërmarrë nga MPMS lidhur me zbatimin e kontratave të punës dhe zbatimin e Ligjit të punës në tërësi.
Ndër aktivitetet e shumta ministri Rashiq përmendi edhe vizitën e djeshme që e kishte realizuar në autostradën Vërmicë - Merdarë dhe siç është shprehur ai ka rezultuar se është mjaft i kënaqur me trajtimin, mbrojtjen e interesave të punëtorëve dhe zbatimin e dispozitave të Ligjit të punës nga kompania drejtuese Bechtel & Enka e kontraktuar për kryerjen e punimeve në autostradë Vërmicë-Merdarë.
Ndërkaq përfaqësuesja e Odës Ekonomike e Kosovës në KES znj. Zineta Daci, njoftoi anëtarët e KES-it lidhur me ecuritë e gjertanishme në draftin fillestar të përgatitur nga OEK për Marrëveshjen Kolektive në nivel nacional, ku edhe paraqiti argumentet e saja se në këtë kontratë janë përfshirë disa segmente të cilat nuk janë të përfshira në Ligjin e punës në mënyrë që interesat e punëdhënësve dhe punëtorëve të jenë në nivelin e duhur për të dyja palët.
Në Ligjin e punës ne kemi shumë mangësi, e dimë se ky ligj ka mangësi të neneve dhe si pasojë e kësaj shumë çështje kanë mbetur të pa realizueshme, ndërkaq në këtë marrëveshje që e kemi përgatitur do mundohemi që ato mangësi t i realizojmë në këtë kontratë, shtoi znj. Daci.
Ky këshill shqyrtoi edhe draftin e Projektligjit për Fondet Pensionale në Kosovë, ku sipas Fadil Racaj nga MPMS, Grupi Punues Qeveritar i caktuar për këtë projektligj ka përfunduar punën në modifikimin e atyre neneve ku ka pasur nevojë për ndërhyrje.
Sipas Racaj ky projektligj tanimë i është dërguar Bankës Botërore, Trustit Pensional të Kosovës, Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe grupeve tjera të interesit për prezantimin e komenteve nga ana e tyre për shqyrtimin final ku pastaj pritet të procedohet në Qeveri dhe Kuvend.