Ligji i punës, kosto vlerësohet të jetë rreth 1.8 milion euro
Mitrovicë, 5 qershor - Në seancën e djeshme Kuvendi i Kosovës, me shumicë votash nga deputetët u miratua në parim Projektligji i Punës. Ministri i Ekonomisë dhe Financave Ahmet Shala në një konferencë për media ka thënë Ligji i Punës është një nga hapat më të rëndësishëm në strukturimin e tregut të fuqisë punëtore.
"Sot Qeveria e Republikës së Kosovës nuk po ndjek vetëm rrugën e krijimit të infrastrukturës fizike, por edhe të asaj legjislative të domosdoshme për funksionimin e rregullt të ekonomisë së tregut. Ligji i Punës është një nga hapat më të rëndësishëm në strukturimin e tregut të fuqisë punëtore. Ky ligj i ofron si qytetarit ashtu edhe ndërmarrjes, apo institucionit, mundësinë për të kërkuar mbrojtjen e interesave dhe bashkërendimin e tyre për një rezultat më produktiv", është shprehur Shala.
Ai ka bërë të ditur se kostoja e përgjithshme e këtij ligji është vlerësuar të jetë rreth 1.8 milion euro, dhe është pjesë e paketës fiskale e diskutuar me FMN-në, ku edhe është përfshire në marrëveshjen e arritur me këtë institucion.
Dispozitat e përgjithshme të këtij ligji kanë për qëllim të:
* Rregullojnë të drejtat dhe detyrimet nga marrëdhënia e punës, procedurat e realizmit të tyre, të cilat rregullohen me këtë Ligj, Kontratën Kolektive dhe Kontratën e Punës në përputhje me Konventat Ndërkombëtare të Punës dhe legjislacionin e BE-së.
* Të ndalojë të gjitha llojet e diskriminimit (gjatë punësimit, në trajnime, promovime, etj.)
* Të ndalojë punën e detyruar ose të dhunshme
* Të përcaktojë kushtet dhe kriteret themelore në përcaktimin e marrëdhënieve të punës
o P.sh. asnjë punëdhënës nuk mund të lidhë kontratë pune me dikë nën moshën 15-vjeçare.
* Të rregullojë çështjen e punësimit të shtetasve të huaj.
* Të përcaktojë përmbajtjen dhe procedurat e nënshkrimit të kontratës.
* Të rregullojë ligjërisht punën provuese, e cila kufizohet në një maksimum prej 6 muajsh. Njëkohësisht ligji përcakton edhe modalitet e punësimit si praktikant.
* Të definojë mënyrën e përcaktimit të vendit të punës varësisht nga specifikat e të punësuarit
o P.sh. Punëtoret shtatzëna nuk mund të sistemohen në lokacione tjera gjeografike pa pëlqimin e tyre. E njëjta vlen edhe për lehonat me fëmijë nën moshën tre vjeçare, apo për prindin e vetëm me fëmijë nën moshën pesë vjeçare.
* Të përcaktojë orarin e punës.
o Në bazë të ligjit, orari i plotë do zgjasë 40 orë në javë, ndërsa ky orar shkurtohet në përpjesëtim me rrezikshmërinë për shëndetin dhe aftësinë e të punësuarit.
o Ligji po ashtu rregullon edhe punën jashtë orarit të plotë.
* Të rregullojë çështjen e pushimit dhe mungesave në punë.
o I punësuari do ketë drejtë në pushim vjetor prej 20 ditë pune, ndërsa ky pushim është edhe më i gjatë për disa kategori të veçanta (nënat me fëmijë deri në 3 vjet, prindi i vetëm, personat me aftësi të kufizuar)
o Pushimi vjetor në festat zyrtare
o Orari shfrytëzimit të pushimit vjetor
o Po ashtu, masat rregullative për mungesat në punë.
* Të sigurojë mbrojtjen e përgjithshme në punë ( sidomos në punët me rrezik)
* Të mbrojë punonjësit e gjinisë femërore dhe atyre me aftësi të kufizuara
o Më detajisht, ky ligj ndalon punësimin e femrave shtatzënë në vende pune me rrezik për shëndetin e tyre dhe të fëmijës.
* Ligji i kushton theks të veçantë mbrojtjes së maternitetit, ku femra shtatzënë nuk mund të punojë më shumë se orari i rregullt i punës.
* Të përcaktojë pushimin e lehonisë, ku ligji e obligon punëdhënësin të kompensojë punonjësen për tre muaj, përderisa për tre muajt vijues kompensimi bëhet nga programi i veçantë i MPMS-së.
o Pas përfundimit të pushimit gjashtë mujor, të përcaktuar me ligj, lehonat kanë të drejtë të kërkojnë edhe tre muaj shtesë pushim pa pagesë.
+ (Ky pushim shtesë mund të zgjatet dhe për një muaj me rekomandim të mjekut)
* Ligji mbron të drejtën e punonjësit për arsyetimin e mungesave të jashtëzakonshme për përkujdesje të veçantë ndaj fëmijëve.
* Ligji përcakton edhe çështjet e pagave dhe kompensimeve tjera:
o Për punën më të gjatë se orari i plotë i punës si dhe për punë në ditët e festave shtetërore dhe për punën e natës, i punësuari ka të drejtë në pagë shtesë. Të punësuarit i takon paga shtesë në përqindje të pagës bazë si më poshtë:
1. 20 % në orë për kujdestari;
2. 30 % në orë për punë gjatë natës;
3. 30 % në orë për punë jashtë orarit;
4. 50 % në orë për punë gjatë ditëve të festave; dhe
5. 50 % në orë për punë gjatë fundjavës.
* Sipas këtij ligji qeveria e Kosovës obligohet të përcaktojë pagën minimale e cila duhet të marrë në konsideratë propozimet e Këshillit Ekonomik Social i cili tanimë është funksional.
* Kompensimi i lëndimit në punë, ku për sëmundjet e marra gjatë punës punëdhënësi është i obliguar të ofroj kompensimin e shpenzimeve sipas këtij ligj.
* Ky ligj përcakton edhe modalitetet e marrëdhënies së punës.
o P.sh, përcaktimi i afatit kur dy palët duhet ta informojnë njëra tjetrën për ndërprerjen e kontratës.
* Ligji poashtu përcakton mbrojtjen e të punësuarit në gjykatë, vendosjen gjyqësore për të drejtat e të punësuarve, mbrojtjen e të drejtave nga inspektorati i punës, dhe masat ndëshkuese për mosrespektim të ligjit.
* Ligji poashtu përcakton masat disiplinore për mosrespektim të ligjit
* Përfundimisht, ky ligj përcakton edhe të drejtat e organizimit në punë siç është e drejta e organizimit sindikal dhe e drejta e grevës.