Ligjëvënesit përkrahin Trustin për uljen e taksës menaxhuese
Prishtinë, 19 tetor - Komisioni për Buxhet dhe Financa i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga kryetarja Safete Hadërgjonaj, ka shqyrtuar një varg propozimesh, raportesh e rekomandimesh.
Kësisoj, komisioni ka shqyrtuar dhe përkrahur propozimin e Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për uljen e Taksës Menaxhuese, propozim të cilin, para deputetëve, e arsyetoi Ushtruesi i Detyrës së kryesuesit së Bordit Udhëheqës, Ymer Havolli.
Komisioni, përkrahu, gjithashtu, projeksionet e buxhetit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) për periudhën tetor dhjetor 2011. Kërkesa u prezantua nga kryetari i Bordit të RTK-së, Rrahman Paçarizi.
Në vijim, u shqyrtuan raportet e Komisionit për Legjislacion dhe atij për Integrime Evropiane, si dhe amendamenti i propozuar nga kryetarët e grupeve parlamentare, lidhur me Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike.
Komisioni nuk i përkrahu amendamentet e këtyre dy komisioneve, ndërsa i dha përkrahje atij të kryetarëve të grupeve parlamentare.
U përkrah, gjithashtu, Projektligji për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës, me raportin me amendamente të komisionit funksional, dhe, me disa ndryshime, edhe ai për sistemin e adresave, me raportin me amendamente të komisionit funksional.
Në përgjigje të rekomandimit të Nënkomisionit për Mandate dhe Imunitete dhe Rregullore të Kuvendit të Kosovës lidhur me përshkrimin e fushëveprimit dhe përgjegjësive të komisionit, u bë plotësimi i fushëveprimit dhe përgjegjësive të komisionit me disa detyra dhe përgjegjësi të caktuara.
Sa i përket përmbledhjes ligjore të agjensioneve dhe institucioneve pavarura, u dakordua që të organizohet një punëtori, në të cilën do të diskutohej gjerësisht rreth kësaj çështjeje.