Letrat me vlerë tregues për stabilitetin financiar të Kosovës
Prishtinë, 2 prill - Interesimi i jashtëzakonshëm për blerjen e obligacioneve qeveritare me maturitet dy vjeçar është një lajm jashtëzakonisht pozitiv sepse shpreh besueshmërinë që kanë investitorët në nivel vendor por edhe ndërkombëtar për blerjen e letrave me vlerë, të cilat tregojnë stabilitet financiar, ka vlerësuar sot ministri i Financave Besim Beqaj.
Në konferencën për media ministri Beqaj tha se pas dy viteve angazhim në tregun e letrave me vlerë, javën e kaluar është realizuar ankandin i parë i shitjes së obligacioneve qeveritare, emetimi i letrave me vlerë në emër të Qeverisë, të cilat kanë maturitet 2 vjeçar.
Ishte një ankand jashtëzakonisht i suksesshëm, i cili ka rezultuar me emetimin te letrave me vlerë në emër të Qeverisë, të cilat janë obligacione në maturitet 2 vjeçar, tha ministri Beqaj.
Ai theksoi se prej vitit 2012 kur janë lëshuar letrat e para me vlerë, me maturitet 3 mujor, pastaj 6 mujore dhe 12 mujore, për herë të parë javën e kaluar ne ankandin publik i cili menaxhohet nga Banka Qendrore e Kosovës në bashkëpunim edhe me Thesarin e Ministrisë së
Financave është realizuar ankandi me maturitet 2 vjeçar dhe vlerësoi se realizimi i këtyre të hyrave është mjaft inkurajues.
Dua të them që është një lajm jashtëzakonisht pozitiv sepse flitet për besueshmërinë që kanë investitorët në nivel vendor por edhe ndërkombëtar për blerjen e letrave me vlerë të cilat tregojnë stabilitet financiar.
Ministri Beqaj njoftoi se së shpejti do ta zhvillohet edhe tregu sekondar i letrave me vlerë, në mënyrë që kjo formë e financimit të vazhdon edhe më tutje.
I pari i Ministrisë së Financave njoftoi se ka marrë raportin për 3 muaj nga Dogana dhe Administrata Tatimore për performancën e tyre.
Dua të ju them që në raport me vitin e kaluar tek Doganat e Kosovës kemi mbi 20 milionë më shumë te hyra, ndërsa te Administrata
Tatimore e Kosovës kemi 1 milionë më pak. Por, dua të them që të hyrat janë duke përformuar në mënyrë ekstreme pozitive, duke marrë parasysh edhe gjendjen ekonomike dhe mekanizmat e ndërtuar gjatë këtyre muajve.
Ai theksoi se të hyrat më të larta nga Doganat e Kosovës i adresohet në mënyrë të drejtpërdrejtë luftimit të ekonomisë joformale, strategjia e së cilës është bërë bashkë me biznesin dhe reformave të cilat kanë ndodhur ne Dogana.
Besoj se gjatë këtyre ditëve kemi argumentuar dhe rezultatet kanë treguar që luftimi i ekonomisë joformale është i mundshëm në Kosovë shtoi ministri Beqaj.
Ai gjithashtu bëri të ditur se është duke u proceduar me reformë edhe në ATK.
Duke folur për Fondin e Punësimit, ministri Beqaj tha se ky është një Fond i cili ka për qëllim ti kthejë mjetet financiare të cilat janë jashtë, duke respektuar gjithnjë legjislacionin në fuqi në Kosovë.
Ai po ashtu theksoi se Fondi i Kursimeve Pensionale janë mjete të sektorit privat, janë kursime të njerëzve dhe ato mund të investohen konform ligjeve të cilat mundësojnë investimin në kuadër të rregullave të cilat vlejnë për fondet investuese.
Ministri Beqaj duke folur për përmbylljen e raundit të bisedimeve me Fondin Monetar Ndërkombëtar tha se ishte një takim jashtëzakonisht
konstruktiv.
Një takim i cili edhe një herë konfirmon që Kosova ka stabilitet fiskal, një takim që kemi diskutuar dhe unë e kam njoftuar FMN-në për politikat e reja të cilat Qeveria i ka marrë, për vazhdimin e respektit të rregullës fiskale, për stabilitet buxhetor dhe për kursimet që ne i kemi bërë në nivel të Qeverisë dhe për luftimin e ekonomisë jo formale.
Ministri Beqaj bëri të ditur se Kosova ka mirëkuptimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, se do të vazhdohen diskutimet për program të ri, dhe se Kosova nuk ka kërkuar e as ka nevojë për program Stand By.
Programi Stand By nënkupton kërkimin e fondeve nga FMN për ta rritur stabilitetin financiar në vend, ndërsa ne nuk kemi nevojë për mjete nga FMN.
Nga përmbyllja e programit 20 mujor me FMN-në ne kemi ardhur në konkludim që kemi nevojë për program të ri i cili do ta mban disiplinën financiare, por nuk kemi nevojë për mjetet financiare. Programi i ri do ta adresojë maturitetin, pjekurinë dhe planifikimin të cilin po tregon që realisht ka dhënë efektet e veta në kuadër të stabilitetit buxhetor. Kosova anëtari me i disiplinuar i FMN-së shtoi ministri Beqaj.