Letonia i bashkohet Eurozonës
Euroja u bë monedha zyrtare e Letonisë ndërkohë që fishekzjarrët e Vitit të Ri shkëlqenin në qiellin mbi kryeqytetin e vendit, Riga.
Kryeministri në detyrë i Letonisë, Valdis Dombrovskis, i cili e udhëhoqi vendin e tij në krizën më të rëndë ekonomike që nga shkëputja e tij nga ish-Bashkimi Sovjetik në fillim të viteve 1990, tha se masa ishte një mundësi, por jo një garanci e begatisë dhe pasurisë.
Ekonomia e Letonisë u tkurr me një të katërtën gjatë viteve 2008-2010, por pastaj u rrit me ritmin më të shpejtë në BE, duke u zgjeruar me 5.6 për qind në vitin 2012, pasi qeveria shkurtoi shpenzimet, pagat dhe rriti taksat, në një nga programet më të ashpra shtrënguese në Evropë.
Anketat e opinionit tregojnë se shumica e 2 milionë qytetarëve të Letonisë janë të shqetësuar se adoptimi i euros mund të shkaktojë rritjen e çmimeve, ndërsa të tjerët nuk janë të gatshëm të heqin dorë nga monedha e vendit.
Shumë druhen se edhe në Letoni do të ketë rritje të çmimeve si tek anëtarët e tjerë të \"rinj\" të eurozonës. Në ekonominë në rritje, por ende mjaft të re, janë të shumtë ata që duan të mbajnë edhe më tej monedhën e konfirmuar, lats.
Ieva Dabolina flet në emër të shumë letonezëve kur thotë se Letonia ka paranë më të bukur në të gjithë globin. \"Unë ndjehem sikur vendi im të hiqte dorë nga flamuri kombëtar apo simbole të tjera\", thotë dizenjatorja dhe poetja 44-vjeçare në Riga në bisedë me Deutsche Welle.