15 Maj 2024

Leku shqiptar e mbylli qëndrueshëm vitin 2011

Tiranë, 1 janar - Të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë  bën të ditur se monedha e Shqipërisë e mbylli vitin 2011 pa ndryshime të rëndësishme në krahasim me vitin 2010, pavarësisht se në disa raste pati luhatje shqetësuese,.

Euro kushtoi gjatë këtij viti 140.3 lekë, ose 1.8 për qind më shtrenjtë nga mesatarja e vitit 2010, ndërsa në anën tjetër, dollari kushtoi mesatarisht 104 lekë ose 2.9 për qind më lirë se sa pati kushtuar në vitin 2010.

Euro u luhat nga 142 lekë që ishte kursi mesatar për muajin qershor, në 138.3 lekë që ishte kursi mesatar i shënuar gjatë muajit dhjetor. Luhatjet e dollarit qenë më të mëdha. Në gusht, monedha amerikane kushtoi mesatarisht 97.5 lekë, ndërsa këtë muaj, kursi mesatar ishte 105 lekë.

Kundrejt shportës së monedhave, leku rezulton i forcuar me 1.1 për qind. “Shporta” e monedhave në rastin e lekut përbëhet nga euro dhe dollari. Ecuria e euros merret në masën 80 për qind dhe ajo e dollarit në masën 20 për qind.

Vlera e lekut teorikisht duhej të kishte pësuar ulje gjatë këtij viti, për shkak të importeve të larta dhe zgjerimit të deficitit tregtar, rënies së të ardhurave nga emigrantët në formën e remitancave apo zvogëlimit të suficitit të shërbimeve të udhëtimit (turizmit). Por këta elemente negative duket se u kompensuan nga rritja e depozitave në sistemin bankar. Një pjesë e rritjes së depozitave i dedikohet zhvendosjes së kursimeve të emigrantëve shqiptarë nga Greqia në drejtim të Shqipërisë.

Gjatë muajit dhjetor, një panik i përhapur mes shqiptarëve mbi rrezikun e shpërbërjes së euros solli konvertimin në masë të kursimeve nga euro në lekë dhe forcim të lekut. Euro ra nga 140 lekë që vlente në fund të nëntorit, në 136-137 lekë në javën e parë të dhjetorit dhe është aktualisht 138.75 lekë.

Një analizë që një bankë private shqiptare ka publikuar për klientët e vet, tregon se qenë bankat dhe disa investitorë që përfituan nga paniku që i zuri shqiptarët për të blerë euro me çmim të lirë.

Banka e Shqipërisë ndërhyri në treg duke blerë euro, sipas raportit, ndërsa një pjesë e medias u përpoq të bindë shqiptarët e zënë nga paniku se asgjë e jashtëzakonshme nuk kishte ndodhur.

Teorikisht, me dhjetëra mijëra familje shqiptare që kanë kredi në euro, mund të përfitonin duke blerë euro me çmim të lirë, por përfituesit kryesorë duket se janë institucionet financiare që kishin para të gatshme për të përdorur.
 
Leku duket se po krijon stabilitet në kuotën 140 lekë për euro, ndërkohë që dollari vijon të ndryshojë sipas kuotimit kundrejt euros në tregun ndërkombëtar.

Euro është luhatur në një korridor të ngushtë mes 138 dhe 142 lekëve gjatë vitit të fundit. Sipas një analize të Fondit Monetar Ndërkombëtar, leku ka qenë i mbivlerësuar në periudhën mes viteve 2004 dhe 2008, kur euro kushtoi rreth 125 lekë, dhe arriti ekuilibrin në vitin 2009, kur euro kushtonte 136 lekë. Po sipas FMN-së, gjatë vitit 2010 leku shënoi një nënçmim me 5 për qind përkundrejt çmimit të ekuilibrit.

Vlerësimi i FMN-së bazohet te vlera teorike që duhet të ketë leku, duke marrë parasysh të dhënat kryesore makroekonomike si produktivitetin relativ, deficitin tregtar apo konsumin e qeverisë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)