19 Nëntor 2024

Lehtësohet fiskalizimi i bizneseve të vogla dhe zejtarëve

Prishtinë, 28 janar - Rreth 20.000 biznese të vogla dhe zejtarë të cilët deri me tani nuk kishin arka fiskale së shpejti do ta kenë më lehtë të pajisen me to si rezultat i një procesi të diskutimit të kushteve në mes të shoqatave të zejtarëve dhe shoqatës së operatorëve të licencuar për pajisje elektronike fiskale, të bërë nën ombrellën e Odës Ekonomike të Kosovës.

Kjo u konfirmua me nënshkrimin e një memorandumi të  mirëkuptimit ku paraqiten kushtet e tregtimit të arkave fiskale nëpërmes ndërmjetësimit të shoqatave dhe Odës Ekonomike.

Kryetari i Odës Ekonomike Safet Gërxhaliu pohoi se synimi i këtij memorandumi është “Përkrahja dhe zhvillimi i komunitetit të biznesit kosovar, krijimi i një ambienti më të volitshëm ekonomik, dhe ngritja e nivelit të bashkëpunimit në mes të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Shoqatës së Operatorëve të Licencuar për pajisjet elektronike fiskale, dhe Shoqatave të Zejtarëve dhe bizneseve të vogla”.

Ky memorandum vjen si rezultat i punës së përbashkët e cila rezultoi me ofrimin e arkave të reja fiskale të dizajnuara enkas për këtë grup të bizneseve sa i përket çmimit dhe teknologjisë.

Saktësisht është zhvilluar një produkt i ri specifik për zejtarë dhe biznese të vogla që ju mundëson atyre që të fiskalizohen me një çmim të përballueshëm për ta në vlerë prej 299 euro plus TVSH.

“Pas konsultave të para është gjetur zgjedhja më e mirë për të gjithë. Besoj se kjo që është arritur është rezultat i punës së përbashkët drejtë fiskalizimit dhe rregullimi i tregut”, ka shtuar Gërxhaliu.

Përfaqësuesi i shoqatës së zejtarëve dhe bizneseve të vogla Afrim Tejeci pohoi se ”Aktivitetet që burojnë nga përmbajtja e këtij memorandumi do të ndihmojnë në zhvillimin e sektorit përmes forcimit të konkurrencës lojale e po ashtu edhe përmes bashkëpunimit më efikas me palët tjera të përfshira në memorandum”.

“Gjiithashtu paraqet të mirat që i sjellë puna e përbashkët”.

Në këtë memorandum përveç tjerash palët u pajtuan që për interesa të përbashkëta të asistojnë, promovojnë, përkrahin dhe të ngrisin nivelin e bashkëpunimit reciprok, në funksion të zhvillimit të përgjithshëm ekonomik.

Gjatë këtij viti pritet edhe zbatimi  i plotë i memorandumit që do të rezultojë me ulje të ekonomisë joformale dhe konkurrencës së pandershme. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)