10 Maj 2024

Lehtësohet ankthi i krizës së Eurozonës

Franfkurt, 24 shtator - Ministrat e financave të Eurozonës u takuan në Qipro javën e kaluar për të diskutuar krizën e Euros, në kushtet kur trysnia e tregjeve ndërkombëtare ishte lehtësuar në një farë mase.

Kostoja e huamarrjes në Spanjë ra gjatë javës, ndërsa rezultatet e zgjedhjeve nga Hollanda konfirmuan prirjen pro Bashkimit Evropian. Por në epiqendër të krizës, Greqi, shenjat se kriza ekonomike dhe sociale mund të përfundojë shpejt, janë të pakta.
                           
Ministrat e financave të Eurozonës kanë një ndjesi entuziazmi ndërsa mblidhen në Qipro për bisedime për krizën e borrxhit.

Një sërë zhvillimesh kanë lehtësuar trysninë e tregjeve. Në Spanjë, borxhi i së cilës kërcënon gjithë eurozonën, kostoja e huamarrjes për periudha 10 vjecare ra nga shifra e rrezikshme 7.64 në korrik në rreth 5.5 për qind.

Kjo pasoi deklarimin e Bankës Qendrore Evropiane se do të blinte cdo lloj sasie bonosh thesari të qeverisë spanjolle, nëse Madridi do të aplikonte  për një paketë shpëtimi.

Ministri spanjoll i financave Luis De Guindos, nuk dha shumë hollësi kur u pyet nëse do të kërkonte ndihmë financiare nga BE-ja.

“Gjatë dy ditëve të ardhshme, do të njoftojmë për vendime të rëndësishme. Spanja duhet të tkurrë deficitin publik, duke e ulur në nivelin që kemi premtuar”.

Simon Tilford, kryeekonomist në Qendrën për reformë Evropiane thotë se ka ende shumë pengesa përpara.

“Banka Qendrore pa dyshim po bën të pamundurën, duke pasur parasysh pengesat politike. Por nuk duhet harruar se blerja e bonove do të jetë e kushtëzuar me nënshkrimin e programeve të shpëtimit, programet e ndryshimeve strukturore”.

Një pengesë tjetër u kapërcye kur gjykata kushtetuese gjermanemiratoi Mekanizmin e Stabilitetit Evropian, fondi i përhershëm i shpëtimit i Eurozonës, me vlerë afro 650 miliardë dollarë.

“Maksimumi që mund të thuhet në këtë moment është se masat graduale po fillojnë të japin efekt. Por edhe ky pohim mund të jetë optimizëm i tepruar. Veprimet e Bankës janë të nevojshme, por e njëjta gjë mund të thuhet për një bashkim banker të Eurozonës, si edhe një reciprocitet i borxhit”.

Zoti Tilford shton se gjermanët vazhdojnë të ngurrojnë që të ndajnë barren e borxhit me Evropën jugore.

Ndërsa besimi tek projekti i Bashkimit Evropian është tronditur në themel, një lajm i mire erdhi nga Hollanda, ku votuesit i dhanë një fitore dërrmuese partive pro BE. Andre Krouwel është profesor në Universitetin Vu të Amsterdamit.

“Hollandezët e dinë se nuk mund të mbijetojnë jashtë kontekstit evropian. Eshtë një ekonomi e madhe, por pa një treg të brendshëm. Ne jemi vend eksportues”.

Megjithatë, optimizmi mungon në qendër të stuhisë së borxhit, në Greqi. Bashkimi Evropian, Banka Qendrore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë dërguar një delegacion në Athinë në përpjekje për të bindur Greqinë që të respektojë afatet për shkurtime shpenzimesh, gjë që disa anëtarë të koalicionit qeveritar po e kundërshtojnë.

Raporti i BE-së dhe FMN-së për Greqinë pritet të dale muajin e ardhshëm dhe nëse arrin në përfundimin se Athina ka bërë hapa pas me programin e masave financiare, analistët thonë se optimizmi aktual i tregut, do të fashitet me shpejtësi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)