Legjislacioni i ri mbi falimentimin ofron sistem funksional dhe bashkëkohor
Prishtinë, 24 janar - Ligji i Ri i Falimentimit konsiderohet kyç në funksionimin e aktiviteteve afariste në ekonominë e tregut dhe në zhvillimin ekonomik në përgjithësi.
Për tu informuar rreth procedurës së falimentimit dhe rëndësisë së këtij ligji, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një ngjarje me Ministren e Drejtësisë Dhurata Hoxha dhe përfaqësues nga Programi i USAID për Përmbarim dhe Legjislacion Komercial.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka tha se Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë vlerëson pozitivisht Ligjin e Ri të Falimentimit i cili sipas tij krijon një sistem bashkëkohor për procedurën e falimendimit, praktikë kjo e cila ka qenë e pamundur në të kaluarën për shkak të dispozitave të mangëta ligjore.
Zeka theksoi se është i mirëseardhur fakti që me Ligjin e ri rregullohet aspekti i falimentimit për bizneset me të gjitha llojet e statusit ligjor, duke krijuar kështu një mbrojtje më të mirë ligjore për kreditorët e mundshëm të bizneseve të cilat mund të përballen me nevojën e kalimit në procedurë të falimentimit.
Për më tepër, krahas përdorimit të kornizës së re ligjore të falimentimit nga ana e bizneseve, Zeka theksoi se është e nevojshme që gjykatat të zbatojnë në përpikmëri dispozitat e ligjit të ri, duke rritur kështu besimin e investitorëve të brendshëm dhe atyre të jashtëm.
Ministrja Hoxha vlerësoi iniciativën e Odës Amerikane për të adresuar çështje të rëndësishme për mirëfunksionimin e bizneseve, sundimin e ligjit dhe zhvillimin ekonomik, pasiqë istemi i drejtësisë ballafaqohet me sfida të vazhdueshme ku mes tjerash numri i madh i lëndëve paraqet problem për të gjithë sistemin e drejtësisë.
Hoxha konsideroi se sundimi i ligjit duhet të trajtohet mbi parimin e bazës së transparencës, llogaridhënies dhe përgjegjësisë, duke parus parasysh që sundimi i ligjit dhe hartimi i politikave ligjore janë parakushte për mbrotjen dhe zhvillimin e bizneseve, interesave të qytetarëve dhe rrjedhimisht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në vend.
Sipas Hoxhës, hyrja në fuqi e Ligjit të Falimentimit do të mundësojë krijimin e kornizës ligjore e cila do tu ofrojë të gjitha bizneseve qasje në procedura të strukturuara në procesin e falimentimit. Ministrja Hoxha u zotua se kjo ministri do të ketë një ndër prioritetet e para adresimin e çështjeve pëmes legjislacionit komercial për të kontribuar sa më shumë në këtë drejtim.
Christopher Thompson Drejtor i Programit të USAID për Përmbarim dhe Legjislacion Komercial prezantoi në mënyrë të detajuar kornizën legjislative aktuale për falimentim dhe procedurën e falimentimit.
Thompson u shpreh se ky ligj është i një rëndësie të veçantë sidomos në zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit pa të cilat bizneset nuk mund të funksionojnë.
Ky ligj sipas Thomspon ofron një kornizë të qëndrueshme për bizneset të cilat duhet të kalojnë në procesin e falimentimit, proces i cili mund të adresohet në Gjyaktën Themelore në Prishtinë, në Departamentin për Çështje Ligjore.
Në anën tjetër, Ardi Shita Specialist Ligjor Programit të USAID për Përmbarim dhe Legjislacion Komercial dhe Sekretar i Përgjithshëm i Bordit të Guvernatorëve në Odën Amerikane vlerësoi se Ligji i Vjetër për Falimentim është karakterizuar me mangësi që nga viti i hyrjes në fuqi, duke trajtuar vetëm një numër të vogël të kompanive në vend. Ndërsa Ligji i Ri i Falimentimit, sipas Shitës paraqet dispozita ligjore për zbatim të procesit të falimentimit, duke shtuar se USAID është angazhuar për krijimin e një dokumenti udhëzues për të lehtësuar një proces të tillë.