Legalizimi i dështuar i ndërtimeve pa leje
Prishtinë, 11 korrik - Ligji për trajtimin e ndërtimeve pa leje që ka hyrë në fuqi në fillim të vitit 2014 nuk ka arritur që të përmbush qëllimin e vet. Kësisoj procesi i nisur dy vjet më parë për legalizimin e ndërtimeve pa leje në Kosovë ka dështuar.
Të dhënat e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përkatësisht raporti nga Komunat për fazën e parë të Regjistrit si dhe fazën e dytë të aplikimit për legalizim (Kategoria I, II dhe III e ndërtimeve) tregojnë se janë regjistruar afër 353 mijë ndërtime pa leje, ndërkohë që janë vetëm afër 8 mijë e 500 aplikime për legalizim (duke përfshirë këtu 6 mijë aplikime nga procesi i vitit 2010 në Komunën e Prishtinës)
Sipas Ligjit për Trajtimin e Ndërtimeve pa Leje, qytetarët kanë pasur 6 muaj afat që ti dorëzojnë aplikimet për legalizim. Periudha e aplikimit pat përfunduar më 16 mars 2016. Ndërkohë legalizimi parashihej të përmbyllej në vitin 2017.
Në bazë të raportit të sipërpërmendur në Komunën e Prishtinës janë regjistruar mbi 46 mijë ndërtime pa leje dhe janë mbi 6 mbi 600 aplikime për legalizim (me mbi 6 mijë aplikime të vitit 2010). Në Komunën e Prizrenit janë regjistruar afër 28 mijë ndërtime pa leje dhe janë vetëm 72 aplikime për legalizim. Në Komunën e Ferizajt janë regjistruar afër 33 mijë ndërtime pa leje dhe janë mbi 260 aplikime për legalizim. Në Komunën e Gjakovës janë regjistruar 8 mijë e 500 ndërtime pa leje dhe janë mbi 190 aplikime për legalizim. Në Komunën e Gjilanit janë regjistruar mbi 32 mijë ndërtime pa leje dhe janë mbi 190 aplikime për legalizim. Në Komunën Mitrovicë e Jugut janë regjistruar mbi 8 mijë ndërtime pa leje dhe janë rreth 40 aplikime për legalizim. Ndërkaq në Komunën e Pejës janë regjistruar 13 mijë e 500 ndërtime pa leje dhe janë mbi 110 aplikime për legalizim. (Lista me të dhënat nga komunat tjera është e bashkëngjitur).
Këto të dhëna, qartazi çojnë kah përfundimi se procesi aktual i legalizimit të ndërtimeve pa leje nuk ka sjellë rezultatet e pritura. EC Ma Ndryshe konsideron se nisja e këtij procesi pa një hulumtim të mirëfilltë paraprak, pa përfshirjen e akterëve të duhur dhe pa transparencë të plotë e sqarimet e duhura ka sjellë me vete edhe dështimin e tij.
Sipas një hulumtimi të Institutit GAP, Sfidat e Komunave në zbatimin e ligjeve, (http://www.institutigap.org/documents/2403_Komunat%20dhe%20Ligjet%20-%20final.pdf), zyrtarët e urbanizimit në komuna përgjithësisht kanë konsideruar se procesi i legalizimeve ka ngecur shkaku i kostos së lartë të legalizimit, numrit të madh të dokumenteve që kërkohen dhe mos kategorizimi i zonave të ndërtimit. Një pjesë e madhe e komunave nuk e kanë pas të qartë tërë procesin, kryesisht për shkak të objekteve banesore, përkatësisht se legalizimi a e përfshin objektin e ndërtuar apo njësitë banesore.
Duke i marrë parasysh këto zhvillime, MMPH-ja ka hartuar koncept dokumentin për çështjen e trajtimit të ndërtimeve pa leje, në të cilin theksohen pengesat e ligjit aktual për trajtimin e ndërtimeve pa leje dhe parashihet plotësim-ndryshimi i tij, me qëllim të lehtësimit të procesit të legalizimit.
Mirëpo, EC Ma Ndryshe vlerëson se nëse autoritetet qeveritare fillojnë plotësim-ndryshimin e ligjit pa përfshirjen e akterëve relevantë atëherë rrezikohet që procesi i legalizimit të dështoj përsëri.
Për këtë arsye, EC Ma Ndryshe rekomandon institucionet shtetërore që në procesin e plotësim-ndryshimit të ligjit të përfshihen akterët relevantë, të kryhen hulumtime të mirëfillta, si dhe hartimi dhe zbatimi i legjislacionit të zhvillohen me transparencë të plotë për publikun.