LDK: Thellohet kriza, bien të hyra doganore për 15 milion euro
Prishtinë, 23 gusht - Këshilli i Ekspertëve për Ekonomi i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vlerësuar se deri në qershor, Doganat kanë mbledhur 15 milion euro më pak të hyra krahasuar me planin dhe me këtë ritëm, viti do të përmbyllet me 36 milion euro më pak vetëm nga doganat.
Këto të dhëna sipas LDK dokumentojnë qartë se kriza po thellohet. LDK vlerëson se Kosova po funksionon sikur nuk ka qeveri.
Asnjë mbledhje qeverie apo e ministrive të resorëve ekonomik nuk po e adreson këtë çështje.
Dikasteret qeveritare janë paralizuar dhe në plot raste zyrtarët nuk deklarohen fare me arsyetimin se ministrat janë në pushime.
LDK vlerëson se vendit i duhet urgjentisht një plan për përballimin e krizës. LDK vlerëson se Qeveria Thaçi është qeveri e mashtrimeve, pasi në një qeveri të përgjegjshme kryeministri duhet të prononcohet se çfarë planifikon të ndërmarrë për të adresuar krizën. Partnerët në koalicionin qeverisës nuk janë më pak fajtorë se z.Thaçi.
LDK po ashtu thekson se Zëvendëskryeministri Pacolli duhet të pranoi se nuk do të realizohen planet e tij për mijëra vende të reja pune.
"Ai mund të vazhdoi të akuzoi shefin e tij në qeveri se nuk i ka krijuar hapësirë të nevojshme. Por, Pacolli duhet tju kërkoi falje qytetarëve të cilët para tri viteve u mashtrua nga planet e tij madhështore'", thekson në fund LDK.