16 Janar 2025

LDK: Thaçi punëson 5,612 militantë dhe abuzon me 11 milion euro

Prishtinë, 19, dhjetor - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vlerëson se kryeministri Hashim Thaçi po keqpërdor taksat e qytetarëve duke punësuar militantë të PDK-së në institucione qeveritare.

Të dhënat sipas LDK-së tregojnë se nga viti 2010, Thaçi ka punësuar 5,612 persona në administratën publike të Kosovës.

Në vitin 2009 ka pasur 74,000 të punësuar në administratën publike. Ky numër ka arritur në: 77,164 në vitin 2010, 78,068 në vitin 2011 dhe 78,903 në vitin 2012.

Në vitin 2013 po sipas kësaj partie punësimi në sektorin publik të Kosovës do të arrijë në 80,000 persona, si askund në rajon dhe më gjerë.

LDK thekson se këtu nuk hyjnë mijëra të tjerë të punësuar në ndërmarrjet publike pa asnjë kriter dhe që paguhet indirekt nga taksat e qytetarëve përmes  subvencionimit të ndërmarrjeve publike.

"Kjo është në kundërshtim me deklarimin për reformë të administratës, për t’i mundësuar Kosovës përafrim me kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian në raportet e progresit dhe në raportin e fundit të fizibilitetit."

"Këta të punësuar janë militantë të PDK-së. Gjendja është aq ekstreme sa që për tu punësuar në sektorin publik, qytetari duhet të ketë librezën e anëtarësisë në PDK. Këtë më së miri e dinë mijëra të rinj që i janë nënshtruar me dhjetëra herë intervistave për punësim", thuhet në deklaraten nga Këshilli i Ekspertëve i LDK-së.

Nga analiza e buxhetit për 2013, siç vlerëson LDK rezulton se një mini qeveri me 628 të punësuar ekziston vetëm brenda Kabinetit të Kryeministrit.

Sa për krahasim, ky numër është më i madh se numri i të punësuarve në tri ministri të marra sa bashku: Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrinë e Bujqësisë.

As Komuna e Prishtinës, si kryeqytet i Kosovës, nuk ka më shumë të punësuar se Kabineti i Kryeministrit.

Këshilli i Ekspertëve i LDK-së vlerëson se Thaçi shpenzon 11.3 milion euro taksa të qytetarëve të varfër të Kosovës.

Paga mesatare dhe shtesat e ndryshme që marrin këta 623 të punësuar kapin vlerën prej 1,500 euro.

Kjo shumë është e barabartë me 5 paga mujore të një arsimtari apo mjeku, 21 ndihma sociale që merr një familje e varfër me 4 anëtarë dhe 33 pensione bazike që merr një pensionist.

Një nga arsyejet qe sipas LDK-së Thaçi ka vënë nën kontroll shumicën e resorëve qeveritarë përmes agjencioneve brenda Kabinetit të tij lidhet drejtpërdrejt me biznesin.

Vetëm Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinës kontrollon mbi 400 milion importe të ushqimeve nga më të ndryshmet.

Si rezultat, Thaçi ka ndikim të drejtpërdrejt në të gjitha lejet importuese dhe licencat që lëshohen nga kjo agjenci.

As deputetët e Kuvendit të Kosovës po sipas LDK-së. nuk e kanë të qartë se çfarë ndodhi me dy agjencione që kanë qenë në buxhetet e mëparshme në kuadër të Kabinetit të Kryeministrit: Agjencioni Kundër Terrorizmi dhe Agjencioni Kundër Krimit.

Këto agjencione kanë pasur 150,000 euro buxhet, por asnjë informatë tjetër për numrin e të punësuarve. Këto nuk figurojnë në buxhetin e vitit 2013.

Si askund në rajon dhe më gjerë, qeveria megalomane e Thaçit ka 19 ministri.

Në këtë kabinet megaloman punojnë 198 ministra, zëvendës ministra dhe këshilltarët e tyre.

Duke marrë pagë mesatare dhe shtesa të tjera prej 1,700 euro në muaj, këta persona shpenzojnë 4 milion taksa të qytetarëve.

Paga mesatare e një anëtari të kabinetit të minsitrave është e barabartë me: 38 pensione bazike dhe 24 ndihma sociale që merr në familje me 4 anëtarë.

LDK vlerëson se qytetarët e varfër të Kosovës nuk kanë nevojë për një qeveri me: 19 ministri, 198 ministra, zëvendësministra dhe këshilltarë të tyre, që shpenzojnë 4 milion euro buxhet.

LDK vlerëson se Kosova nuk ka nevojë për një qeveri paralele brenda Kryeministrisë: që shpenzon 11 milion euro dhe punëson 628 persona, kryesisht militantë të partisë.

Modeli i ardhshëm i qeverisjes i LDK-së do të jetë me një qeveri optimale për të ofruar shërbime cilësore për qytetarë dhe për të evituar burokracinë e panevojshme.

Modeli i ardhshëm i qeverisjes i LDK-së do të rrisë kapacitetet e administratës publike në përputhje me kërkesat e BE-së për liberalizim të vizave dhe siç kërkohet për të nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)