LDK: Shtrenjtimi i rrymës reflekton dështimet e Qeverisë Thaçi
Prishtinë, 7 shkurt - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka pritur me shqetësim faktin se qytetarët i kanë pranuar të shumëfishuara faturat e energjisë elektrike.
Avdullah Hoti nga LDK ka thënë se mesatarisht, faturat janë rritur për dy deri në tre herë.
\"Merreni një familje mesatare në Kosovës që ka të ardhura rreth 300 euro nga paga ose në forma të tjera. Në muajin Janar, KEK-u do ju marrë gjysmën e këtyre të ardhurave, pasi shumica e faturave janë rreth 150 euro\", ka theksuar Hoti.
LDK sipas tij vlerëson se shkaktari kryesor është Qeveria Thaçi pas qe Qeveria ka rritur tantiemën për thëngjill nga 0.23 cent në 3 euro për tonë.
Kjo sipas Hotit është një rritje për 13 herë, apo 1300%. Normalisht që Zyra e Rregullatorit të Energjisë është dashur të marrë parasysh këtë rritje në përcaktimin e tarifave të reja të energjisë elektrike.
Në letrën dërguar Fondit Monetar Ndërkombëtar, që është nënshkruar nga Kryeministri Thaçi, bëhet e qartë se do të kërkohet rritja çmimit të energjisë për të mbuluar problemet me deficitin buxhetor.
Prandaj sipas LDK, Qeveria ka nxitur rritjen e çmimit të energjisë për 9% vitin e kaluar si masë për zvogëlimin e shpenzimeve publike.
Shkaktar tjetër sipas tij është vetë KEK-u pasi qe kjo kompani është zhytur në jo efikasitet, keqmenaxhim dhe keqpërdorim.
KEK-u mbetet institucioni publik me vlerën më të madhe të tenderëve të shpallur në Kosovë.
Por, KEK-u mbetet gjithashtu institucioni publik me numrin më të madh të tenderëve të anuluar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik. Kjo është shenjë e drejtpërdrejt e keqpërdorimeve.
Prej mbarimit të luftës në këtë kompani janë investuar mbi 500 milion euro në renovime të termocentraleve dhe të rrjetit.
Pavarësisht investimeve, humbjet e energjisë janë tepër të larta. Raportet e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike nxjerrin në pah më së miri këtë.