LDK: Rënia e të hyrave buxhetore nxjerr në pah krizën ekonomike
Avdullah Hoti nënkryetar i LDK-së ka thënë se gjendja e rëndë ekonomike tani konfirmohet edhe në raportin e fundit të FMN-së.
"Ky raport nxjerr në pah se rritja ekonomike në Kosovë sillet rreth 2% dhe ka trend rënës nga rishikimi i fundit që FMN i ka bërë ekonomisë së Kosovës. Kjo e dhënë e përgënjeshtron deklarimin e Thaçit para tri jave në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik", vlerëson Hoti.
Gjendja e rëndë ekonomike sipas tij reflektohet në rënien e të hyrave buxhetore prej 37 milion euro.
Të dhënat nga doganat e Kosovës konfirmojnë se vetëm në muajin maj janë mbledhur 10 milion euro më pak të hyra në kufi për shkak të rënie së importit të mallrave, për shkak të rënies së fuqisë blerëse në Kosovë.
Për të kompensuar këtë mungesë në buxhet, qeveria sipas LDK-së e ka rritur barrën për bizneset vendore duke i detyruar ata të paguajnë më shumë për 7 milion, si dhe ka marrë nga PTK dividentë para kohe për 15 milion euro duke e lënë këtë kompani pa investime në pritje të aksionarit të ri.
Hoti ka theksuar po ashtu se qeveria gjithashtu më 17 qershor ka marrë një vendim kundërligjor duke për shkurtimin e alokimeve buxhetore për 11 milion euro, prej të cilave 6 milion janë investime kapitale.
Këshilli i Ekspertëve të LDK-së vlerëson se me këtë rritje që ka Kosova, Kosovës i duhen edhe 35 vjet për të dyfishuar të ardhurat për kokë banori.
"Asnjë qytetarë nuk ka kohë të presë kaq gjatë. Prandaj, duhet një qeveri i re e spektrit të djathtë që fuqizon sektorin privat dhe siguron punësim dhe rritje ekonomike trefish më të lartë."
"Kosovën po e dëmton kjo qeveri e majtë e pa vizion që merret vetëm me shpenzimin e buxhetit të varfër të Kosovës, e jo me rritjen e këtij buxheti dhe rritjen e punësimit dhe të ardhurave", thekson LDK.