LDK: Raporti i buxhetit konfirmon keqmenaxhimin e parasë publike
Prishtinë, 8 maj - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vlerëson se raporti financiar për vitin 2012 nxjerr në shesh keqmenaxhimin e buxhetit të varfër të Kosovës.
Avdullah Hoti ka thënë së bazuar në shifrat që janë prezantuar në këtë raport, ne vlerësojmë se ky buxhet nuk po sjell asnjë dobi për qytetarët dhe bizneset vendore. Ky raport karakterizohet me jo transparencë.
Raporti sipas tij nuk ka të dhëna rreth shpenzimit në projekte kapitale, të cilat përbëjnë 38% të shpenzimeve buxhetore.
Hoti ka theksuar se në raport mungojnë komplet të dhënat për tabelën 3.2 të buxhetit lidhur me projektet kapitale.
Qeveria sipas tij ka dështuar të realizoi planin e të hyrave. Si rezultat i kësaj, gjatë vitit 2012 kemi pasur shkurtime të shpenzimeve: për mallra dhe shërbime në shumën prej 28 milion, për shpenzime kapitale për 60 milion si dhe nuk është mbyllur viti me 40 milion fatura të papaguara, që janë borxhe që barten në 2013.
Njëjtë si viteve të tjera, 1/3 e buxhetit të Kosovës mblidhet në dogana në emër të TVSH-së.
Kjo sipas LDK-së është shqetësuese pasi po ngarkohen shumë më herët bizneset vendore si dhe e bënë buxhetin të paqëndrueshëm sepse ka varësi të madhe nga importi.
"Nëse shihet trendi i të hyrave, konfirmohet kriza ekonomike në Kosovë. Të hyrat nga doganat dhe administrata tatimore janë më të ulëta për 27 milion krahasuar me planifikimin", ka theksuar Hoti.
Në anën tjetër, huamarrja e brendshme dhe ajo e jashtme sipas LDK-së është rritur për 35 herë është rritur nga 5 milion sa ka qenë në vitin 2011, në 167 milion në vitin 2012. Si pasojë e kësaj politike, qytetarët e Kosovës po paguajnë rreth 10 milion euro kamatë për borxhin që ka marrë kjo qeveri.
LDK vlerëson se pranimet e tjera në buxhet, ku përfshihet edhe dividenta, kanë rënë për 23% në krahasim me një vit me herët. Derisa në vitin 2011 këto të hyra kanë qenë 106 milion, në vitin 2012 kanë rënë në 86 milion.
LDK konstaton se vetëm të hyrat nga dividenta e mbledhur nga PTK është përgjysmuar në tri vitet e fundit. Ajo ka rënë prej 85 milion në vitin 2010, në 60 milion në vitin 2011 dhe në 45 milion në vitin 2012.
"Ne vlerësojmë se kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në vlerën e shitur të PTK-së prej vetëm 242 milion. Kështu që nuk është i vërtetë konstatimi i dhënë në raport se janë rritur të hyrat me 18%. Ato që janë rritur janë pranimet në buxhet si rezultat i rritjes së borxhit, por jo të hyrat tatimore", ka thënë Hoti.
Sa i përket shpenzimeve sipas LDK-së për shkak të punësimeve të reja me rreth 900 persona më shumë se në vitin 2011, shpenzimet për paga në vitin 2012 janë rritur për 5.3% në krahasim me 2011.
Në ligjin e rishikuar të buxhetit për vitin 2012, shpenzimet për mallra dhe shërbime janë paraparë të jenë 204 milion, por në fakt janë shpenzuar vetëm 172 milion, apo 28 milion më pak.
Pra siç ka thënë Hoti ka furnizim më të keq me barna, rrugët janë mirëmbajtur më keq, arsimi është furnizuar më keq.
Megjithatë siç konstaton LDK sipas Hotit janë rritur një kategori e shpenzimeve të luksit të zyrtarëve: shpenzimet e udhëtimit kanë qenë më të larta për 27% në krahasim me një vit më herët.
Shpenzimet e telekomunikimit janë rritur për 12%, shpenzimet kontraktuese janë rritur për 19%, shpenzimet për derivate dhe lëndë djegëse janë rritur për 13%, shpenzimet për mobile dhe pajisje janë të njëjta me një vit më parë, si rezultat i blerjes së inventarit të ri për zyrë për çdo vit dhe shpenzimet për blerjen e veturave janë dyfishuar, që është shpenzim i pakuptimtë në kohën kur numri i familjeve që jetojnë në varfëri po rritet.
"Si rezultat i keq menaxhimit të ndërmarrjeve publike, këto të fundit po vazhdojnë të gllabërojnë një pjesë të madh të buxhetit të Kosovës. Për vitin 2012, subvencionet për Ndërmarrjet Publike ishin 52 milion, derisa në buxhetin e rishikuar kanë qenë vetëm 34 milion."
"Shpenzimet kapitale në buxhetin e rishikuar të vitit 2012 kanë qenë të planifikuara në shumë prej 614 milion, por në raport ato figurojnë të jenë vetëm 554 milion. Pra, kemi shkurtim prej 60 milion. Në këtë kategori, ka mungesë të plotë të transparencës, pasi mungojnë plotësisht projektet kapitale në të cilat janë shpenzuar këto mjete prej 554 milion euro", thekson Hoti nga LDK.