LDK: Qeveria po shpenzon shumë
Prishtinë, 7 korrik - Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një kumtese, ka shfaqur shqetësimet e ekspertëve të saj për përkeqësim të gjendjes ekonomike në Kosovë që sipas po konfirmohet me uljen e normës së pritshme të rritjes ekonomike 5% sa ishte në 2011 në 3.8% sivjet.
LDK-ja thotë se në nivel vendi, të ardhurat nga pagat në sektorin publik mbesin burimi më i madh i të hyrave për familjet kosovare, me një pjesëmarrje rreth 25% të të ardhurave totale të familjeve.
Të ardhurat nga pagat në sektorin privat përbëjnë 22% të të ardhurave të familjeve, ndërsa të ardhurat nga biznesi përbëjnë vetëm 12% të të ardhurave të familjeve, kanë thënë ekspertët me tregun e punës. Përkeqësimi i situatës ekonomike në vend konfirmohet edhe me numrin shumë më të vogël të vendeve të lira të punës krahasuar me një vit më herët, thuhet në kumtesë.
Sipas saj, të dhënat tregojnë se në këtë vit, vendet e lira të punës janë zvogëluar për 32% krahasuar me vitin e kaluar. Deficiti tregtar po thellohet vazhdimisht. Në muajt e parë të këtij viti, nga Janari deri në Prill, eksportet kanë rënë për 24% krahasuar me periudhën njëjtë të vitit të kaluar, që konfirmon humbjen e tregjeve ndërkombëtare të Kosovës.
Në anën tjetër,sipas LDK-së, Qeveria Thaçi vazhdon të shpenzoi shuma enorme të buxhetit, por jo në të mirë të qytetarëve.
Shpenzimet deri në muajin maj kanë arritur në 484 milion euro, duke shkaktuar një deficit buxhetor prej -0.3% të GDP-së. Kjo ka ardhur për shkak të shpenzimeve tepër të larta në autostradën Morinë-Merdarë, por në veçanti në rritjen e shpenzimeve për mallra dhe shërbime. Në pjesën e parë të këtij viti, shpenzime për mallra dhe shpenzime janë rritur për 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, thekson LDK-ja.
Të gjitha këto shpenzime pa efekte në jetën e qytetarëve po ndodhin në kohën kur të hyrat në buxhetin e shtetit po zvogëlohen. Të dhënat konfirmojnë se të hyrat buxhetore janë zvogëluar për 2.5%.
Këtë zvogëlim në të hyra Qeveria Thaçi po e mbush me mjete nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore, të cilat janë pasuri nacionale. Në pjesën e parë të vitit, Agjencioni Kosovar i Privatizimit ka transferuar një shumë prej 30 mil euro në buxhetin e shtetit.
LDK-ja ka theksuar edhe më parë se mjetet nga privatizimi i ndërmarrjeve shoqërore duhet të shpenzohen në projekte që dalin nga një strategji kombëtare e zhvillimit ekonomik e aprovuar në Kuvendin e Kosovës, si institucioni më i lartë i përfaqësimit të qytetarëve të Kosovës.
LDK shpreh shqetësim për mënyrën se si është duke u finalizuar privatizimi i distribucionit dhe furnizimit të energjisë. LDK qartëson se në parim përkrah procesin e privatizimit, por ky privatizim në mënyrën si është bërë është i dëmshëm për ekonominë e vendit. Duke e marrë një kompani e vetme edhe distribucionin edhe furnizimin, po krijohet një monopol i dëmshëm për furnizimin me energji me çmime të përballueshme për qytetarët e vendit.
Në anën tjetër, shkalla e lartë e korrupsionit, mungesa e sundimit të ligjit, joefikasiteti ekstrem i funksionimit të KEK-ut me borxhe të mëdha dhe humbje enorme të energjisë së prodhuar, ka bërë që çmimi i privatizimit prej 26.3 mil euro të jetë tepër i ulët. Në Maqedoni, rrjeti i tillë është privatizuar për 10 herë më shumë. Skandal në vete në këtë proces të privatizimit paraqet rritja e çmimit të energjisë krahas privatizimit.