LDK procedon kërkesën për hetimin e shpenzimeve të Presidencës dhe Qeverisë
Prishtinë, 17 prill - Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike te Kosovës (LDK) procedon kërkesën për themelimin e Komisionit hetimor i cili do të hetojë shpenzimet pa bazë ligjore për aktivitete lobuese të Presidencës dhe Qeverisë.
LDK thekson se kohë më parë mediat e shkruara dhe elektronike në vend raportuan lidhur me shuma të mëdha parash publike të shpenzuar për gjoja aktivitetet lobuese.
Për më tepër sipas LDK-së letra e publikuar e Geoffrey Nice përmendte edhe terme financiare të cilat ishin dakorduar jashtë rrugëve formale për të tilla shërbime.
Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në konferencën e rregullt javore pati ngritur këtë çështje duke paralajmëruar formimin e Komisionit hetimor për të hetuar këto raportime.
Andaj sot, me iniciativën e deputetëve të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, janë mbledhur 40 nënshkrimet e nevojshme dhe është proceduar kërkesa për themelim të Komisionit Hetimor në lidhje me fondet e ndara nga Presidenca dhe Qeveria e Republikës së Kosovës për lobim.
Ky Komision do të hetojë të gjitha mjetet e ndara nga Buxheti i Kosovës për çështje lobuese nga viti 2010 e deri më sot.