LDK, PDK dhe AAK prijnë me punësime në ndërmarrjet publike
Prishtinë, 7 dhjetor - Organizata Çohu në kuadër të Javës Kundër Korrupsionit, ka publikuar hulumtimin “Zaptimi i vazhdueshëm”, ku janë paraqitur gjetjet se në sa prej pozitave të larta publike janë punësuar persona përmes konkurseve publike, e të cilët kanë lidhje me partitë politike.
Hulumtimi ka përfshirë periudhën 2017-2021. Të dhënat tregojnë se në këtë periudhë kohore, 222 zyrtarë publikë që janë të punësuar në pozita të larta publike kanë lidhje me partitë politike.
Pjesë e hulumtimit dhe verifikimit kanë qenë të gjithë zyrtarët e lartë publikë, të cilët e deklarojnë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK).
Të dhënat tregojnë se varësisht se cila parti është në pushtet, e shfrytëzon mundësinë për shtrirjen e patronazhit politik në institucionet shtetërore. Kjo është faktuar edhe në dy hulumtimet paraprake që janë a realizuar lidhur me këtë dukuri.
Në 24 ndërmarrje publike, janë verifikuar të gjithë zyrtarët që e deklarojnë pasurinë dhe të dhënat e siguruara tregojnë se 105 zyrtarë të lartë kanë lidhje me partitë politike.
Nga hulumtimi ka rezultuar se në periudhën 2017-2021 me punësime në ndërmarrjet publike prijnë LDK dhe PDK me nga 30, AAK me 18, NISMA me 12, PSD me 3, AKR me 2, LVV me 5, si dhe SKS, PSHDK, PD, PLE dhe KDTP me nga një.
Pjesë e hulumtimit kanë qenë edhe institucionet e pavarura dhe sipas të dhënave 19 persona që kanë lidhje me partitë politike janë punësuar në pozita të rëndësishme vendimmarrëse në këto institucione.
Numrin më të madh të të punësuarve përmes konkursit në institucione publike, e ka PDK me 7 zyrtarë, pasuar nga LDK me 6, AAK ka 4 të tillë dhe nga një NISMA dhe AKR.
Edhe në ministri numri i zyrtarëve të lartë që janë përzgjedhur përmes konkurseve publike, e që kanë lidhje me partitë politike është shumë i lartë.
Hulumtimi ka ka gjetur se 96 zyrtarë të lartë që punojnë në ministri kanë lidhje me parti politike, prej tyre 38 janë nga PDK, 17 nga LDK, 16 nga AAK, 10 nga AKR, 7 nga NISMA, 2 nga LVV, 1 nga PSD, 1 nga PD, 2 nga Partia Demokratike Turke, 1 nga NDS.
Në këtë raport janë përfshirë edhe disa hulumtime të realizuara nga Çohu, ndër vite lidhur me politizimin e universiteteve publike. Në hulumtimin e realizuar në vitin 2016, rezulton se 70 profesorë të UP-së kanë qenë apo janë ende pjesë e politikës njëkohësisht. Ndërkaq, përgjatë viteve 2017-2021, Preportr ka identifikuar 10 profesorë që i janë bashkuar partive politike.
Në universitetet e tjera publike, atë të Prizrenit, Pejës, Gjilanit, Gjakovës, Mitrovicës, dhe Ferizajt, Preportr ka gjetur se në periudhën 2017-2021, në pozitat udhëheqëse në këto universitete janë përzgjedhur nëntë persona me prapavijë partiake.