16 Janar 2025

LDK: Papunësia arrin nivele alarmante prej 48 për qind

Prishtinë, 16 dhjetor - Këshilli i Ekspertëve i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ka vlerësuar se Qeveria Thaçi nuk di sa është papunësia.

Avdullah Hoti nga Këshilli i Ekspertëve të LDK-së ka vlerësuar se të dhënat më të fundit zyrtare janë për vitin 2009, kur papunësia vlerësohej rreth 45 për qind dhe që nga atëherë, jo vetëm që nuk është ndërmarrë ndonjë masë për zvogëlimin e papunësisë, por nuk janë bërë përpjekje as për matjen e saj.

Nga viti 2010, Entit të Statistikave të Kosovës i është hequr buxheti për realizimin e anketës vjetore për matjen e papunësisë.

Të dhënat për papunësinë sipas Hotit janë alarmante pasi që edhe organizatat ndërkombëtare vlerësojnë se papunësia arrin në 48 për qind.

Në zyrat e punësimit janë të regjistruar mbi 330 mijë punëkërkues.

Bilanci i punës së Qeverisë Thaçi në përmbyllje të këtij viti sipas LDK-së është se në mesatare, vetëm 2 në 10 persona të moshës 16-64 janë të punësuar.

Pastaj papunësia është e lartë sidomos për të rinjtë e moshës 15-24 vjeç. Vetëm 1 në 12 persona të kësaj moshe është i punësuar.

Gjithashtu sipas LDK-së diferencat janë tepër të larta në mes të meshkujve dhe femrave. Vetëm 1 në 10 femra është e punësuar, krahasuar me 3 në 10 meshkuj.

Mbi 90 për qind e të papunëve, janë të papunë për më shumë së një vit. Pra, janë të papunë afatgjatë. Në fakt po sipas LDK-së shumica janë të papunë prej kohës kur për herë të parë kanë vendosur të kërkojnë punë. 

Hoti ka thënë se nën Qeverisjen Thaçi, Kosova në çdo aspekt po largohet nga Evropa.

\"Në fakt, falë modelit unik të qeverisjes Thaçi të zhvatjes e korrupsionit, Kosova nuk krahasohet as me vendet e rajonit, e lëre më me Evropën\", ka theksuar ai.

Norma e papunësisë në Kosovë sipas tij është 3 herë më e lartë se në Malin e Zi, 2 herë më e lartë se në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe 50 për qind më e lartë se në Maqedoni.

Një zyrtar në zyrat e punësimit mesatarisht duhet të kujdeset për rreth 2,000 të papunë. Kjo shifër është rreth 15 herë mbi mesataren evropiane. 

\"Papunësia e lartë dhe mungesa e zhvillimit ekonomik i kanë shuar shpresat e të rinjve për të ardhmen. Kjo është arsyeja pse tendenca për të emigruar është tepër e lartë, gjë që ka pasoja në procesin e liberalizimit të vizave me BE-në\", ka pohuar me tej Hoti.

Papunësia e lartë dhe në rritje po ashtu e ka thelluar varfërinë në mesin e qytetarëve të Kosovës.

Të dhënat nga organizata ndërkombëtare tregojnë se afër 40 për qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri të thellë me vetëm 1 euro në ditë ose me të ardhurat që marrin nuk arrijnë të sigurojnë konsumin e nevojshëm për zhvillimin afatgjatë.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)