15 Maj 2024

LDK: Pakoja fiskale peng i vendimeve të gabuara

Prishtinë, 29 janar - Grupi i ekspertëve të ekonomisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i ka rekomanduar Qeverisë së Kosovës që gjatë ndryshimeve të pakos fiskale ta zbresë TVSH-në për produkte ushqimore, pasi kjo prek mijëra familje që jetojnë në varfëri, ndërkohë që efekti në buxhet është minimal.

Këto komente ekspertët e ekonomisë të LDK-së i bënë gjatë një konference me gazetarë, ku theksuan se pakoja fiskale është peng i vendimeve të gabuara lidhur me shpenzimet qeveritare dhe se kjo është në funksion të sigurimit të të hyrave shtesë për ta mbuluar deficitin buxhetor, e jo në funksion të zhvillimit ekonomik.

Avdullah Hoti, anëtar i Kryesisë se LDK-së, theksoi se rritja e pakontrolluar e shpenzimeve të Qeverisë ka ngritur pjesëmarrjen e shpenzimeve qeveritare në GDP në 31 për qind, ndërsa pjesëmarrja e tatimeve ka mbetur 28 për qind.

“Kjo diferencë prej 3 pikësh e përqindjes reflekton deficitin buxhetor, i cili është i paqëndrueshëm në afat më të gjatë. Qeveria, përmes pakos fiskale, tenton që koston e vendimeve të gabuara ta bart tek bizneset dhe qytetarët e Kosovës. Kjo sipas tij do të reflektohet në një ambient më të pafavorshëm për biznes dhe do të përkeqësoi më tutje pozitën e Kosovës në ranglistën e globale të të bërit biznes. Sigurisht që asnjë investitor serioz nuk vjen në një vend ku politikat fiskale ndryshojnë çdo vit”, theksoi Hoti.

Sipas grupit të ekspertëve të LDK pakoja e re fiskale ende nuk është duke u zbatuar nga qeveria, me përjashtim të pikës 7 (Zvogëlimi i kamatave ndëshkuese për biznese), kurse dy masat e tjera, lirimi i pagesave për studentë nga TVSH-ja dhe Lirimi i medieve nga TVSH-ja, janë aprovuar në Qeveri dhe do të procedohen për në Parlament (sepse kërkohet aprovim nga Parlamenti). Kjo sigurisht do të merr kohë për fillimin e implementimit.

“Bizneset duhet ta dinë se pakoja fiskale ka qenë një mashtrim i radhës i kësaj qeverie. Për të implementuar çfarëdo mase fiskale, qeveria duhet të marrë aprovimin nga FMN bazuar në marrëveshjen për monitorim të nënshkruar vitin e kaluar.\"

\"Ashtu siç e kemi adresuar edhe herëve të tjera, duke u pajtuar për këtë, qeveria ka bartur tek FMN-ja një pjesë të sovranitetit të vendit sa i përket vendimmarrjes për politikat ekonomike”, theksoi Hoti. Sipas tij letra e dhjetorit e vitit të kaluar që Qeveria e ka dërguar në FMN specifikon qartë ndryshimet fiskale që do të bëhen këtë vit, të cilat përfshijnë vetëm akcizën për duhan, rritjen e tatimit në pronën e paluajtshme dhe tatimin në shërbime (e cila është pjesë e ligjit në të ardhura personale dhe korporata).

Anëtari i kryesisë së LDK-së, Hoti tha se Qeveria ka ulur normën e interesit për pagesat e vonuara tatimore nga 18 për qind në 15 për qind  në vit, dhe ka rritur normën e interesit për ri-rimbursimet e vonuara në 2.4% në vit.

“LDK-ja, në parim, e përkrah këtë, por kjo në praktikë nuk ka asnjë efekt. Ne kemi të dhëna se bizneset paguajnë ndëshkime nëse vonohen në pagesën e tatimit, por realizimi i pagesës së interesit për rimbursimet e vonuara nga ana e ATK-së, thuajse është e pa mundur”.

Hoti theksoi se për LDK-në rritja e tatimit në shërbime nga 5 për qind në 9 për qind nuk është signifikant për buxhetin e Kosovën, pasi që do e vështirësojnë zhvillimin e biznesit.

“Të dhënat nga ATK tregojnë se ky lloj tatimi merr pjesë më pak se 1 për qind në të hyrat e përgjithshme të mbledhura nga ATK. Tek akciza e duhanit, qeveria e z.Thaçi jo që nuk ka bërë lirimet e premtuara nga 1 Janari 2012, por ka rritur akcizën nga 25 në 27 euro për kg. Qeveria e z.Thaçi tani dëshiron të trefishoi tatimin në pronë. Pragu i poshtëm i këtij tatimi parashikohet të rritet nga 0.05 për qind të vlerës së tregut të pronës në 0.15 për qind”, theksoi ai.

Sipas grupit të ekspertëve të ekonomisë së LDK-së arsyet e dhëna nga Ministri i Financave për ndryshimet në politikën fiskale janë të çuditshme.

“Ai arsyetohet se rritja e tatimit në pronë po bëhet për të ulur pabarazitë në tatimin në pronë në mes të komunave, që është në kundërshtim me parimin e autonomisë së pushteteve lokale. Tek rasti i tatimit në shërbime, arsyetimi është se kjo do të promovoi konkurrencën dhe zhvillimin ekonomik. Të gjitha këto arsyetime demantohen në letrën e Qeverisë dërguar në FMN në dhjetor të vitit të kaluar të nënshkruar nga z. Thaçi, Ministri i Financave dhe Guvernatori i Bankës Qendrore. Aty qartë thuhet se këto ndryshime janë pjesë e masave për të siguruar 38 mil € në buxhet gjatë vitit 2012”, theksojnë ekspertët e ekonomisë së LDK-së. 

Ndonëse theksojnë se heqja e TVSH-së për media dhe për importin e lëndës së parë dhe pajisjeve për media përkrahet nga LDK-ja, ata theksojnë se nuk është e qartë se si Doganat e Kosovës dhe Administrata Tatimore e Kosovës do ta implementojë këtë vendim.

“Po ju them një rast konkret: nëse importohet letër për gazeta nga Maqedonia, atëherë në Doganë nuk do të paguhet TVSH-ja. Por, nëse kjo letër blihet tek firmat vendore, atëherë paguhet TVSH. Kjo i vë prodhuesit vendor në pozitë të pavolitshme dhe në fakt promovon importin. Do të jetë gati e pamundur që Dogana të identifikoi se një pajisje që importohet do përdoret për qëllime mediale, e jo për biznes tjetër, theksoj Hoti, duke shtuar se LDK vlerëson heqja e TVSH-së për media po bëhet nga presioni i disa medieve të afërta me qeverinë, si rezultat i ndërprerjes së financimit të tyre nga shpalljet për tenderë dhe njoftime të ndryshme në gazeta dhe media në përgjithësi.

Sipas LDK-së, masat e tjera të politikës fiskale nuk janë implementuar dhe nuk pritet të implementohen, në masë të madhe për shkak të kapaciteteve të kufizuara të Administratës Tatimore.

“Ulja e pragut të TVSH-së nga 50,000 € në 30,000 euro nuk pritet të ndodh pasi ATK do ta ketë të pamundur të menaxhoi me numrin e madh të bizneseve që do të hyjnë në TVSH.  Premtimi se norma 16 për qind e TVSH-së do të zvogëlohet në  për qind për disa artikuj ushqimore (si buka, drithërat, qumështi, vaji për gatim dhe produktet farmaceutike që importohen) nuk pritet të ndodh.  Nuk pritet të ndodh as rritja e TVSH-së nga 16% në 17% për të gjitha produktet tjera. Edhe pse kalkulimet nxjerrin se ky përshkallëzim i TVSH-së është i leverdishme për buxhetin e shtetit, kapacitet e limituara të ATK-së nuk mundësojnë aplikimin e tij”, tha Hoti.

Hoti vlerëson se nëse rritet norma nga 16 për qind në 17 për qind, atëherë të hyrat në 2012 do të rriten për 36.6 mil euro, kurse zvogëlimi për artikujt e rëndësishëm ushqimor nga 16 për qind në 7 për qind do të zvogëlonte të hyrave për 4.3 mil euro. Pra, përfitimet neto në buxhet do të ishin 32.3 mil € nga ky përshkallëzim.

Duke folur për qëndrimet e LDK-së për këtë çështje koordinatori i grupit të ekspertëve të ekonomisë në këtë parti tha se LDK-ja përkrah të gjitha masat lehtësuese për biznese. Por, sipas tyre, këto masa duhet të jenë sistematike dhe të drejtuara drejt arritjes së objektivave zhvillimore të cilat i mungojnë kësaj qeverie.

Vërejtja kryesore e LDK-së sipas Hotit është se nuk duhet të eksperimentohet me politikën fiskale çdo vit, pasi kjo i shkatërron pritjen e bizneseve për të ardhmen. 

Ai thekson se LDK insiston që të ngrihen kapacitetet e ATK-së dhe të Doganave për të luftuar evazionin fiskal prej rreth 300 milion euro. Sipas tyre nëse zvogëlohet vetëm 1/3 e këtij evazioni, atëherë nuk ka nevojë të preket fare politika fiskale. 

“LDK është e brengosur me jo-seriozitetin e kësaj qeveria karshi ambientit për biznes në Kosovë. Premtimet e dhëna në gusht të vitit të kaluar kanë krijuar pritje të caktuara nga bizneset sa i përket planeve të tyre investive. Ne ftojmë qeverinë që publikisht të përgënjeshtroi veten dhe tu kërkoi falje bizneseve që nuk po i mban premtimet”, tha Hoti, duke shtuar se për të realizuar pakon e re fiskale, Qeveria duhet të adaptojë një sërë ligjesh, disa prej të cilave janë proceduar në Kuvend.

Ndryshimi i këtyre ligjeve dhe ristrukturimi i Bordit të Pavarur për Shqyrtimin e Ankesave do të marrë shumë kohë. Prandaj, ne nuk presim efekte nga këto ndryshime brenda këtij viti.   Pakoja fiskale, e cila me pompozitet u promovua në vitin e kaluar nga qeveria do të përfshinte: lirim nga taksa doganore për lëndën e parë, lirim nga taksa doganore për ambalazh, lirim i importit të mjeteve kapitale nga TVSH-ja,‘Tax holiday’ apo lirim të përkohshëm nga tatimi në fitim për korporata, lirimi nga doganat për importin e teknologjive informative, përshkallëzim i TVSH-së. zvogëlimi i kamatave ndëshkuese për biznese, lirimi i pagesave për studentë nga TVSH-ja, lirimi i medieve nga TVSH-ja.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)