18 Maj 2024

LDK: Ndarja e investimeve kapitale për 2013, në baza politike

Prishtinë, 11 nëntor - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vlerëson se buxheti për 2013 nuk bazohet në objektiva zhvillimore, por shpërndahet në baza politike dhe interesa të ngushta.

Shpërndarja e investimeve kapitale sipas LDK-së nuk mbështet rritjen e punësimit, të ardhurave apo zhvillimin e bujqësisë.

\"Qytetarët e Kosovës do të shohin më shumë asfalt të ndërtuar dhe asgjë tjetër. Rreth 60% e investimeve kapitale shkojnë për infrastrukturë rrugore, ndërkohë që në arsim shkojnë vetëm 4.6% e investimeve kapitale. Kjo nuk siguron se do të zvogëlohet numri i nxënësve për klasë\", thuhet në vlerësimin e LDK-së.

Kjo parti po ashtu thekson se vetëm 2.7% e investimeve janë të lidhura direkt me projekte që promovojnë zhvillim ekonomik. Në anën tjetër, në një vend ku gjysma e popullsisë jeton në zonat rurale, në bujqësi investohen vetëm 1.8 % e investimeve kapitale

Shpërndarja e investime kapitale nëpër komuna në infrastrukturë dhe arsim sipas LDK-së nxjerr në pah se qeveria po i ndëshkon qytetarët e atyre komunave që nuk e kanë votuar PDK-në në zgjedhjet e fundit.

\"Sa i përket investimeve në arsim, në tri vitet e kaluara, në komunat që udhëhiqen nga PDK është investuar mesatarisht dy herë më shumë për kokë banori se në komunat që udhëhiqen nga LDK.\"

Për shembull, në vitin 2012 është investuar 11 euro për kokë banori në komunat që udhëhiqen nga PDK, ndërsa vetëm 6 euro për kokë banori në komunat që udhëhiqen nga LDK. Edhe në vitin 2013, do të investohet 12 euro për kokë banori në komunat që udhëhiqen nga PDK, ndërsa vetëm 5 euro në komunat që udhëhiqen nga LDK.

LDK thotë se këto dallime bëhen edhe më të mëdha nëse analizohen nëpër komuna veç e veç. Për shembull, investimet në arsim në Skënderaj për kokë banori për periudhën 2010-2013 janë 20 herë më të larta se në kryeqytet, ku numri i nxënësve është jashtëzakonisht i madh.

Brenda kësaj periudhe, në Skënderaj është investuar 230 euro për kokë banori, krahasuar me vetëm 12 euro në Prishtinë  (për vitin 2013 janë paraqitur investimet e planifikuara). Në Shtimje apo në Malishevë është investuar 8 apo 9 herë më shumë se në Prishtinë.

Sa i përket investimeve në infrastrukturën rrugore, dallimet në mes të komunave që udhëhiqen nga LDK dhe PDK janë edhe më të mëdha se në arsim.

Në vitin 2013, në komunat që udhëhiqen nga PDK do të investohet gati trefish më shumë për kokë banori krahasuar me komunat që udhëhiqen nga LDK (17 euro për kokë banori krahasuar me 6 euro).

Dallimet sipas LDK-së janë edhe më të mëdha nëpër komuna veç e veç. Në Skënderaj është investuar në infrastrukturën rrugore për periudhën 2010-2013 rreth 40 herë më shumë se në Prishtinë (për vitin 2013 janë paraqitur investimet e planifikuara). Në Skënderaj është investuar 531 euro për kokë banori në infrastrukturë, krahasuar me 14 euro në Prishtinë.

Me gjithë këto mangësi që ka ky draft buxhet, LDK-ja nuk mund të mbështesë atë. LDK-ja insiston që të rishikohet shpërndarja e investimeve kapitale nëpër sektorë dhe komuna.

LDK insiston që nga çdo euro e shpenzuar e parasë publike të gjithë duhet të përfitojnë njësoj. LDK mbështetet në parimin që paraja publike duhet të investohet në sektorët dhe projektet që maksimizojnë të ardhurat dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve njësoj.

Kështu si është shpërndarë ku buxhet, nuk siguron që të gjithë qytetarët përfitojnë njësoj dhe nuk po investohet në sektorë ku rritet më së shumti punësimi dhe të ardhurat. 
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)