20 Nëntor 2024

LDK: Mungesa e zhvillimit ekonomik po shtyn qytetarët të migrojnë

Prishtinë, 9 gusht - Prishtinë, 9 gusht - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shpreh shqetësimin e saj për përkeqësimin e gjendjes ekonomike në vend, si rezultat i politikave të gabuara.

Këto politika sipas Liderit të LDK-së, Isa Mustafa po e çojnë vendin drejt kolapsit ekonomik dhe financiar, duke i shtyrë shumë biznese të falimentojnë dhe mijëra qytetarë të marrin botën në sy për një jetë më të mirë.

Mustafa ka thënë se shteti i pavarur i Kosovës nuk i ka përmbushur shpresat e mijëra të rinjve për arsim më të mirë, për vende pune dhe për të ardhura dinjitoze.

Si rezultat i kësaj, të rinjtë kosovarë po emigrojnë duke qëndruar nëpër kampe përqendrimi e në kushte jonjerëzore.

Ai ka thënë sѱ Lidhja Demokratike e Kosovës për këtë gjendje e mban përgjegjëse të drejtpërdrejtë qeverinë e Thaçi.

Rritja ekonomike në Kosovë, tani e konfirmuar edhe nga FMN-ja,  gjatë këtij gjashtëmujori ka qenë rreth 2.5%, që paraqet rënie nga rishikimi i fundit që FMN-ja i ka bërë ekonomisë së Kosovës.

Kjo sipas Mustafes është në kontradiktë me deklarimin e Kryeministrit, të dhënë kohë parë, në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, ku deklaronte rritje dukshëm më të lartë.

Mustafa konsideron se vetëm kryeministri, ministrat e resorëve të ekonomisë dhe këshilltarët e tyre për ekonomi mund të shpikin shifra të tilla. Të gjitha të dhënat për rritjen ekonomike e përgënjeshtrojnë këtë shifër.

Gjendja e rëndë ekonomike sipas tij reflektohet më mirë se askund tjetër në rënien e të hyrave buxhetore prej 37 milionë, si rezultat i rënies së të hyrave në kufi me 10 milionë, mosinkasimi i të hyrave nga tantiema nga KEK-u në vlerë prej 7.2 milionë dhe mosinkasimi i të hyrave nga shitja e licencës për telekomunikacion në vlerë prej 20 milionë.

"Përveç kësaj, vetëm në muajin maj janë mbledhur 10 milionë më pak të hyra në kufi, për shkak të rënie së importit të mallrave, që reflekton rënien e fuqisë blerëse në Kosovë."

"Për të kompensuar këtë mungesë në buxhetin e shtetit, qeveria e ka rritur barrën për bizneset vendore, duke i detyruar ata të paguajnë më shumë për 7 milionë, si dhe ka marrë nga PTK dividentë para kohe për 15 milionë."

"Qeveria është e vetëdijshme për këtë krizë ekonomike, por ajo nuk është e sinqertë me qytetarët e vendit për t'u treguar atyre për krizën dhe hapat që duhet ndërmarrë. Për të kompensuar këtë rënie të të hyrave buxhetore, qeveria në mënyrë joligjore po bën shkurtime të shpenzimeve të organizatave buxhetore", ka theksuar Mustafa.

Kështu, më 17 qershor, Qeveria ka marrë vendim për shkurtimin e alokimeve të mjeteve buxhetore për 11 milionë, prej të cilave 5.9 milionë janë projekte kapitale. Ne vlerësojmë se ky vendim bie ndesh me Ligjin e Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Mjetet të cilat janë të parapara me këtë ligj, organizatat buxhetore kanë të drejtë t'i përdorin. Nëse duhet shkurtuar fondet, atëherë është Kuvendi i Kosovës ai që duhet të bëjë këtë e jo Qeveria.

Mungesa e sundimit të ligjit, krimi i organizuar dhe korrupsioni i lartë janë faktorët kryesorë që po e vështirësojnë zhvillimin ekonomik dhe po i shtyjnë qytetarët drejt emigracionit. Institucionet e shtetit kanë dështuar të realizojnë detyrat e tyre për të garantuar sundim të rendit juridik. Shumë krime të rënda dhe afera korruptive mbeten akoma të pazbuluara dhe të pandëshkuara.

Pavarësia e institucioneve dhe e agjencive të pavarura shtetërore është komprometuar dhe kjo ka dëmtuar rëndë imazhin e vendit.

LDK konsideron se ndërhyrjet politike në institucionet e pavarura si gjykata, prokuroria, RTK-ja, BQK-ja, agjenci të pavarura, AKP-ja etj., ka bërë që në raportet ndërkombëtare Kosova të konsiderohet si vend i cili po shkon drejt dështimit. Siguria e dokumenteve personale dhe të udhëtimit është problem serioz i cili ka marrë përmasa ndërkombëtare pas skandalit të pasaportave.

Fenomen jashtëzakonisht negativ është emigrimi ilegal. Në këtë rast kemi të bëjmë me krim të organizuar, i cili i kalon kufijtë e Kosovës dhe i cili ka shfrytëzuar pjesën më të varfër të popullatës kosovare.

Institucionet e vendit kanë dështuar të mbrojnë qytetarët e Kosovës nga ky rrezik. Institucionet shtetërore të Kosovës kanë dështuar që t'u ofrojnë qytetarëve të vendit mundësinë e lëvizjes së lirë në vendet e Bashkimit Evropian, mundësinë e punësimit dhe të ndërtimit të perspektives jetësore.

E gjitha çfarë ka bërë kjo qeveri sipas kësaj partie janë deklaratat e disa ministrave si thirrje qytetarëve se nuk mund të marrin azil në BE dhe emigracioni është joligjor.

Perspektiva evropiane e Kosovës ndërtohet nëpërmjet qeverisjes demokratike e zhvillimore, me një qeveri përfaqësuese dhe legjitime.

LDK-ja e ka planin për ndërtimin e shtetit ligjor, funksional dhe demokratik, i cili është parakusht për zhvillim ekonomik, social e kulturor, për investime të huaja dhe aktivizim të kapitalit vendor në funksion të zhvillimit ekonomik, për ndërtimin e një jete të dinjitetshme për të gjithë qytetarët e Kosovës si dhe parakusht për integrimin e vendit në BE.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)