LDK: Kosovës i duhet një qeveri me duar të pastra
Prishtinë, 23 shkurt - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) shpreh shqetësimin e saj me gjendjen e mjerë të jetesës së qytetarëve të Kosovës.
Kjo gjendje e mjerë u vërtetua me indeksin e mizorisë, i cili e rendit Kosovën në vendin e nëntë në botë pas vendeve si Zimbabve, Liberia, Belorusisë, Turkmenistanit etj.
Indeksi i mizorisë është një matës i përgjithësuar i gjendjes ekonomike dhe sociale bazuar në papunës dhe inflacion.
Sa më e lartë papunësia, aq më të ulëta janë të ardhurat dhe rrjedhimisht varfëria në konsum për familje. Sa më i lartë që është inflacioni, sasia e mallrave që mund të blihet me të ardhurat e familjes është më e vogël.
LDK konsideron së nisur nga fakti që papunësia në Kosovë është mbi 45% dhe inflacioni rreth 8%, indeksi i mizorisë me të drejtë e rëndit Kosovën në mesin e vendeve më të pashpresë dhe më të mjetë për të jetuar.
Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se kjo gjendje reflekton qeverisjen e mjerë të PDK-së dhe koalicionit qeverisës dhe nivelin e lartë të korrupcionit që po e ngulfat ekonominë.
Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se Qeveria Thaçi gjatë mandatit të saj vetëm sa e ka thelluar mizorinë e jetës tek qytetarët, pasi papunësia dhe inflacioni vetëm sa janë rritur.
\"Ata persona që kanë pasur fatin të punësohen dhe të krijojnë të ardhura, kanë arritur ta bëjnë këtë në baza të nepotizmit dhe afërsisë me klanin qeverisës\", thuhet në komunikaten e LDK-së.
Bizneset e vogla që krijojnë punësim dhe të ardhura për shumë familje janë ngulfatur me rritjen e ngarkesës tatimore për 80% nga kjo qeveri.
Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se vendit sa më pari i duhet një qeveri me profesionistë dhe me duar të pastra për të kthyer shpresën se në Kosovë mund të jetohet më mirë.
Lidhja Demokratike zotohet se brenda vitit të parë të qeverisjes së saj jeta e qytetarëve do të bëjë kthesën pozitive.