LDK kërkon hetim për shpenzimet pa bazë ligjore për lobimin
Prishtinë, 16 mars - Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së z Avdullah Hoti sot gjatë konferencës së rregullt javore të Grupit është deklaruar lidhur me raportimet shqetësuese në media për shuma të mëdha parash publike të shpenzuara për gjoja lobime.
“Janë shpenzuar shuma të mëdha të buxhetit për interesa personale, letra e Geoffrey Nice drejtuar qeverisë tregon qartë për terma financiar të dakorduar jashtë rrugëve formale si dhe përmend shërbimet që ja kryer përfshirë edhe aranzhimin e ligjëratave për Thaçi dhe Hoxhaj. Letra gjithashtu përmend edhe kërkesën e Thaçi për të ndihmuar autorët e biografisë së tij” tha Hoti.
Me këtë rast z. Hoti bëri të ditur se për këtë çështje duhet të ketë hetim të plotë të ligjshmërisë së shpenzimeve dhe kjo do të bëhet përmes komisionit hetimor parlamentar.
Në konferencë gjithashtu u përmend edhe çështja e Dialogut me Serbinë dhe shqetësimet që ka Grupi Parlamentar i LDK- së lidhur me këtë çështje.
Theks të veçantë pati tek mënyra sesi qeveria po i qaset Dialogut me një ekip krejtësisht të pa përvojë në këtë çështje si dhe tek mungesa e raportimit në Kuvend për platformën por edhe për ecurinë e Dialogut.
“Ne bëjmë thirrje që në Kuvend të sillet platforma e dialogut me Serbinë e cila do të përfshijë çështjet për dialogim, afatet kohore indikativë, ekipi negociator si dhe të caktohet roli i Kuvendit, si mbikëqyrës i këtij procesi “ tha z. Hoti.