LDK: Keqpërdorimi i tenderëve po dëmton zhvilimin ekonomik
Prishtinë, 1 dhjetor - Grupi i Ekspertëve të Ekonomisë nga LDK ka deklaruar se shkeljet e procedurave tenderuese dhe me këtë edhe të Ligjit për Prokurimin Publik, duke u dhënë tenderë njerëzve të afërm më qeverinë dhe partinë në pushtet, Lidhja Demokratike e Kosovës i konsideron të keqen me e madhe që i kanoset stabilitetit ekonomik dhe politik të vendit.
Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh shqetësimin e saj për vazhdimin e avazit të vjetër nga Ministria e Transportit dhe Postë Telekomunikacionit, tash Ministria e Infrastrukturës, dëmtimin e parasë publike dhe interesit qytetar, duke kontraktuar tenderë për kompanitë e njerëzit që janë pjesë e pushtetit apo të afërm me partinë në pushtet.
Veprimin e fundit të kësaj ministrie, shpalljen fitues e tenderit për furnizim me kripë industriale, kompaninë Drenica-Eurokos nga Ferizaj, me çmim shumë herë më të lartë se tre kompanitë e tjera pjesëmarrëse në tender, LDK-ja e vlerëson si skandaloz dhe veprim të hapur korruptiv.
Kjo kompani në këtë tender ka ofertuar çmimin prej 597,511 euro, ndërkohë tre kompanitë e tjera, kompania Bes Company 532,525 euro, kompania Pagarusha 588,101 euro dhe kompania Euroni 576,339 euro.
LDK-ja kërkon nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik që të anulojë ketë tender dhe nga organet e hetuesisë që të ndërmarrin masa, në mënyrë që veprimet e tilla në të ardhmen të mos përsëriten.
Si pasojë e keqpërdorimeve të natyrës se tillë, Kosova në mënyrë të vazhdueshme është renditur si është më keq në raportet e organizatave ndërkombëtare. Në raportin e fundit të Transparency International rreth Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2011, Kosova renditet e 112-ta në nivel global, e që nënkupton se gjendet në rang me shtetet me nivel të lartë të korrupsionit.