LDK e brengosur për keqpërdorimet e shumta në RTK
Prishtinë, 19 shtator - Lidhja Demokratike e Kosovës ka shprehur shqetësimin se të dhënat që kanë qarkulluar ditëve të fundit dëshmojnë se keqmenaxhimi i parasë së taksapaguesve të vendit nga drejtuesit e Radiotelevizionit të Kosovës ka marrë përmasa të paimagjinueshme.
Përveç pagave astronomike që marrin, drejtuesit po e shpërblejnë vetveten edhe me mëditje të stërfryra për udhëtimet jashtë vendit, si dhe me punësimin dhe angazhimin e familjarëve të tyre në projekte të cilat buxhetit të RTK-së po i kushtojnë mijëra euro.
Po ashtu, RTK-ja është mbërthyer në kthetrat e nepotizmit. Pothuajse secili drejtues e ka rehatuar nga një afërm të vetin në RTK. Kështu, ky institucion, i cili do të duhej të ishte dritarja kryesore e informimit të qytetarëve të vendit, për fat të keq po bëhet institucion i keqpërdorur.
LDK vlerëson se nga të dhënat del se drejtues të caktuar të RTK-së kanë angazhuar në projekte tepër të kushtueshme të afërmit e tyre, madje edhe fëmijete tyre, dhe po i shpërblejnë ata me shuma marramendëse parash për projekte minore dhe për emisione që nuk e kanë ekskluzivitetin e RTK-së.
Për gjendjen e krijuar në RTK, Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron përgjegjëse të drejtpërdrejtë Qeverinë e Kosovës, e cila ka instaluar aty njerëz të dëgjueshëm dhe jokompetentë.
Dëgjueshmëria ndaj pushtetit qendror u ka krijuar komoditet udhëheqësve të sotëm të RTK-së që të bëjnë çka të duan me pasurinë e këtij mediumi.
LDK-ja konsideron se është koha e fundit që institucionet përgjegjëse ti zbardhin të gjithë dyshimet lidhur me parregullsitë e shumta financiare në RTK - për të cilat ekzistojnë dëshmi flagrante - sepse qytetarët e Repubklikës së Kosovës paguajnë taksa për të pasur një televizion të tyrin profesional, e jo për ti mbushur xhepat e një grupi njerëzish që sot ndodhet në krye të këtij institucioni.