LDK do ta heqë monopolin e arkave fiskale për naftëtarët
Prishtinë, 12 maj - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, me rastin e aderimit të një grupi biznesmenësh nga Fushë Kosova në LDK, ka thënë se me qeverisjen e LDK-së do të eliminohet monopoli në furnizimin me arka fiskale për naftëtarët në Kosovë dhe do të marrim fund manipulimet e deritanishme të Qeverisë.
Këto komente kryetari Mustafa i bëri me rastin e aderimit të një grupi biznesmenësh nga Fushë Kosova, duke përfshirë edhe Kryetarin e Shoqatës të Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Beriani.
Ne do të bëjnë rregullimin e çmimeve të naftës dhe produkteve të saj, do të fuqizojmë këto biznese, do të rrisim punësimin dhe do të zvogëlojmë varfërinë. Ne do të ndalojmë manipulimet e qeverisë me arkat fiskale. Do ta heqim monopolin e arkave fiskale, do ta demonopolizojmë tregun e karburanteve dhe do të krijojmë kushte normale në tërë territorin e Kosovës për këto biznese, ka thënë kreu i LDK-së.
Mustafa ka shtuar se LDK-ja ka nevojë për kuadro sikur z.Beriani sepse dëshiron që nga ekspertiza e tyre profesionale të krijojë rregullimin e tregut të karburanteve në harmoni me standardet më të larta ndërkombëtare, duke përfshirë edhe respektimin rigoroz të standardeve mjedisore.
Me rastin e aderimit në LDK-së, kryetari i Shoqatës të Naftëtarëve, Fadil Beriani ka thënë se do të jetë një zë i fuqishëm i bizneseve për të ndaluar harraqin institucional që po i bëhet kësaj kategorie të bizneseve nëpërmes fiskalizimit.
Beriani ka thënë se qe tri vite kanë kërkuar nga qeveria rregullator të çmimeve dhe ruajtjen e rezervave të naftës në territorin e Kosovës, por kërkesat e kësaj kategorie të bizneseve nuk janë përfillur asnjëherë.