LDK dhe VV kundërshtojnë Hamzën për guvernator
Prishtinë, 20 shkurt - Bedri Hamza dhe Gani Gërguri shumë shpejt do ti masin forcat në Kuvendin e Kosovës, pasi që paneli intervistues të martën i ka dërguar emrat e tyre si kandidatë seriozë për guvernator të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK).
Kështu bëjnë të ditur burimet e gazetës Zëri, sipas të cilave, më së shumti pikë gjatë intervistimit ka marrë ish-ministri i Financave, Bedri Hamza.Pas këtij të fundit, vjen guvernatori aktual, Gani Gërguri, ndërsa i treti në listë ka qenë zëvendësguvernatori, Nexhat Kryeziu.
Mirëpo, paneli ka vendosur që në ekzekutiv dhe legjislativ ti dërgojë emrat e dy kandidatëve të parë me më së shumti pikë, përkatësisht Bedri Hamzës dhe Gani Gërgurit.
I pari është anëtar me librezë i partisë në pushtet(PDK), ndërsa i dyti së paku publikisht nuk është ekspozuar si përkrahës i ndonjë subjekti politik, prandaj, vite më parë Zyra Civile Ndërkombëtare, e cila udhëhiqej nga Piter Feith, e kishte përkrahur Gërgurin për guvernator.
Në anën tjetër, partia më e madhe opozitare në vend kundërshton fuqishëm zgjedhjen e ish-ministrit të Financave për guvernator të ri të BQK-së me arsyetimin se PDK po tenton ta fusë nën kontroll edhe këtë institucion të pavarur.
Ismet Beqiri, kryetar i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), thotë për Zërin se në momentin kur Kuvendi do të zgjedhë guvernatorin e ri të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), deputetët e LDK-së sipas të gjitha gjasave do ta lëshojnë sallën.
Sipas tij, është shumë e qartë se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po synon ta fusë nën kontroll edhe BQK-në.Këtu ka vend për reagim edhe të prezencës ndërkombëtare, sepse ky rast është shumë i rëndë, kur kandidati me librezë të partisë në pushet e braktis pozitën e ministrit për tu bërë guvernator. Ky njeri nuk e ka asnjë shans që të jetë i pavarur në ushtrimin e detyrës së tij. Të largohesh nga ministri i financave dhe të konkurrosh për guvernator është shumë e qartë që këtu është punë marrëveshje,tha Beqiri.
Ai thotë se guvernatori i ri duhet të jetë një njohës i mirë i sistemit bankar në vend dhe të mos ketë librezë të asnjë partie politike në Kosovë.
Sipas tij, dërgimi i dy emrave Bedri Hamzës dhe guvernatorit aktual Gani Gërguri është një kamuflim politik, pasi që sipas tij, puna e guvernatorit thuajse është punë e kryer.
Është lojë politike dhe këtu ka marrëveshje paraprake. Por, nuk kanë të drejtë as morale as juridike që një institucion të pavarur ta shndërrojnë në një institucion të diktuar nga Partia Demokratike e Kosovës. Këtë punë do ta ngremë edhe më fuqishëm si shqetësim,tha ai.
AAK pa qëndrim
Partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ende nuk ka qëndrim rreth kandidatëve për guvernator të Bankës Qendrore.Burim Ramadani, deputet i AAK-së në Kuvend, thotë se deri më tash nuk kanë informacione zyrtare rreth emrave për guvernator.Sipas tij, pasi të publikohen emrat, AAK do të del me një qëndrim, nëse do të përkrahë ndonjërin prej dy kandidatëve.
Ne nuk do ta lëshojmë sallën kur do të votohet për guvernatorin, por do të votojmë për ose kundër, pohoi Ramadani.
Ndërsa Dardan Sejdiu nga lëvizja Vetëvendosje thotë se favorizimi i Bedri Hamzës për guvernator të BQK-së nga partia në pushtet është një tentim, siç thotë ai, me e kap një institucion të pakapur deri më tani.
Kjo definitivisht është tentativë e PDK-së me e kapë BQK-në si një institucion të pavarur, shprehet Sejdiu.Sipas tij, Banka Qendrore është rregullatori kryesor i sistemit financiar dhe përzgjedhja e Bedri Hamzës për guvernator, sipas tij, më së paku i bënë nder këtij institucioni.
Megjithatë, Sejdiu shpreson se kandidatura e Bedri Hamzës për numër një të Bankës Qendrore nuk do të kalojë në Kuvendin e Kosovës.
Përndryshe, në konkursin e shpallur për guvernator të BQK-së kanë konkurruar shtatë kandidatë: Bedri Hamza , Valentin Toçi, Xhemajl Gashi, Gani Gërguri, Flamur Keqa dhe Nexhat Kryeziu.
/Zeri/