27 Prill 2025

LDK: Degradimi i qeverisë komunale të Rahovecit nga Kryetari Latifi

Prishtinë, 30 mars - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në Rahovec vlerëson se Kryetari Smajl Latifi ka dhënë shembullin më të keq në qeverisjen lokale në Kosovë.

Pushteti lokal sipas LDK-së ka degraduar tërësisht, me raste të keqpërdorimeve të shumta të parasë publike, të ndërhyrjeve të vendimet ligjore të organeve komunale nga ana e Kryetarit dhe stafit të tij të afërt, me punësime në baza të afërsisë familjare dhe partiake dhe të interesave të tjera, me krijimin e borxheve enorme për komunën pa procedura të rregullta.

Kryetari Latifi ka keqpërdorur pasivisht paranë publike duke rritur enorm shpenzimet për lukset personale të tij dhe stafit të afërm. 

Ai ka shpenzuar apo ka keqpërdorur 180,000 euro për dreka, udhëtime zyrtare, mëditje dhe karburante për vetura zyrtare.

Vetëm për dreka zyrtare, pije dhe ushqime për 2012, Kryetari me vartësit e tij ka shpenzuar 36 mijë euro, 22 mijë euro për telefon dhe internet, pastaj 27 mijë euro mëditje për udhëtime zyrtare dhe 87 mijë euro karburante për vetura zyrtare. LDK vlerëson se këto shpenzime paraqesin keqpërdorim të parasë publike.

LDK vlerëson skandaloz faktin se Kryetari ka mbyllur vitin 2012 me 3.8 milion euro borxhe ndaj operatorëve ekonomik.

Fakti se ka kaq shumë borxhe nënkupton se janë kryer punë jashtë procedurave të rregullta të prokurimit dhe në projekte që nuk kanë qenë të autorizuar nga Kuvendi Komunal. LDK vlerëson se me këtë Kryetar të papërgjegjshëm, Komuna e Rahovecit po rrezikon likuiditetin e saj dhe po rrezikon të paditet nëpër gjyqe për moskryerje të obligimeve ndaj operatorëve ekonomik.

Për LDK është shqetësues fakti se shumica e punimeve të kryera në infrastrukturë janë të cilësisë tepër të dobët. Për pasojë, në plot raste rrugët asfaltohen për herë të dytë, siç ishte rasti në rrugën Zaçisht - Reti.

Rruga e sapo shtruar me kubëza në fshatin Xërxë është dëmtuar menjëherë, saktësisht nga hekurudha deri te shkolla fillore. Punimet e dobëta janë bërë edhe në rrjetin e kanalizimit të ujërave të zeza nga fshati Brestoc deri në Krushë të Madhe dhe ky rrjet nuk pritet të jetë funksional.

Kryetari është përgjegjës edhe për shkyçje nga rrjeti elektrik të disa institucioneve komunale, QKMF, shkolla dhe ndriçimi publik për shkak të moskryerjes së obligimeve të komunës ndaj KEK-ut.

Kryetari Latifi përmes manipulimit me disa këshilltarë komunal arrin të miratoi në Kuvend Komunal disa rregullore që janë në kundërshtim me ligjet përkatës, siç ndodhin në seancën e fundit kur dy rregullore u miratuan pa kaluar në debat publik. LDK pret që Ministria e Pushtetit Lokal të ndërhyjë në këtë rast dhe të shfuqizoi këto dy rregullore.

LDK po përgatitet dhe është e sigurt se në zgjedhjet e ardhshme ky kryetar i papërgjegjshëm dhe shkelës i ligjit do të ndëshkohet edhe nga qytetarët me votën e lirë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)