16 Janar 2025

LDK: Çdo vit e më shumë Kosova po varfërohet

Prishtinë, 15 janar -  Këshilli i Ekspertëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në një konferencë për media  ka vlerësuar se deficiti tregtar po thellohet, po rritet numri i të papunëve dhe se qytetarët e Kosovës çdo vit e më shumë po varfërohen.

Derisa importet po rriten, investimet e jashtme po bien si pasojë e një ekonomie, ku korrupsioni është në kulm. 

Ata paraqiten analizën \"Kosova në shifra dhe fakte nën sundimin e PDK-së\", ku përfshihen trendët ekonomikë gjatë katër viteve të fundit, duke u bazuar në të dhënat e Bankës Botërore, Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës qendrore të Kosovës dhe burimeve të tjera kredibile.

Avdullah Hoti, nga Këshilli i Ekspertëve të LDK-së tha se norma aktuale e rritjes së GDP siguron se kosovarët do të mbesin më të varfrit në rajon dhe se me këtë rritje ekonomike që kemi tani, pas 15 vitesh Kosova nuk do të arrijë as nivelin që ka Bosnja tani.

“Në vitin 2012, GDP për kokë banori, apo pasuria mesatare e një qytetari të Kosovës është rritur vetëm 1.1 për qind, ndërkohë që kjo Qeveri e ka marr vendin me 5.6 për qind rritje të GDP-së për kokë banori.\"

\"Trendi tregon që në baza vjetore GDP-ja për kokë banori ose pasuria mesatare e një qytetari të Kosovës, po zvogëlohet për 0.55 për qind, po bie dhe po bëhemi më të varfër nga viti në vit me terma relativë”, tha ai.

Po ashtu Hoti dha disa të dhëna se ku qëndron Kosova në krahasim me vendet e rajonit dhe Evropës, sipas të cilave të ardhurat për kokë banori në Kosovë po mbesin dukshëm më të vogla sesa në vendet tjera, duke e bërë kështu Kosovën vendin më të varfër në rajon.

“Ne jemi me të varfrit në rajon. Kemi qenë më të varfrit dhe në të kaluarën dhe po mbesim të varfër. Diferenca relative mes GDP-së për kokë banori të vendeve të rajonit dhe Kosovës po mbetet e dukshme dhe po zgjerohet me kalimin e kohës.\"

\"Derisa në Kosovë një qytetar mesatar arrin të krijojë të ardhura gjatë gjithë vitit prej 2776 euro, Bosnja me një Qeveri dukshëm më të dobët, me një vend që është i pakonsoliduar ka 6 mijë e 800 euro për kokë banori brenda një viti. Atëherë qytetarët e Bosnjës janë 2.5 herë më të pasur se qytetarët e Kosovës, ose maqedonët janë 3 herë e gjysmë më të pasur se sa kosovarët”, tha ai.

Duke u bazuar në këto të dhëna, Hoti theksoi se duhet kohë që Kosova të integrohet në BE dhe se do t’i duhen dhe 17 vjet për të arritur standardet e zhvillimit ekonomik dhe social, që të mos jetë barrë për BE, por kontribuues në tregun e madh evropian.

Sipas analizës së bërë nga grupi i ekspertëve të LDK-së, del se po ashtu në vend ka trend rënës të punësimit dhe se në çdo vit po krijohen mbi 6 mijë vende pune më pak se sa në vitin paraprak, ndërkohë që numri i të papunëve po rritet nga viti në vit, për mbi 6 mijë persona.

Hoti po ashtu foli dhe për tregtinë e jashtme, duke pohuar se vazhdon diferenca e madhe në mes të importit dhe eksportit.

Ai tha se deri në vitin 2007, kur ka qenë LDK-ja në pushtet, importet kanë qenë dukshëm më të larta sesa eksportet, por kjo diferencë ka ardhur duke u rritur me kalimin e kohës.

Sipas tij, politikat ekonomike, që janë ndërmarrë deri tani nuk kanë siguruar që ka prodhim vendor për të kompensuar mallrat që vijnë nga importi gjë që ka bërë që të rritet hendeku në tregtinë e jashtme. Ai tha se deficiti tregtar i Kosovës po rritet dhe brenda vitit po nxjerrim gjithnjë e më shumë mjete jashtë vendit dhe se po rritet numri i importeve të produkteve bujqësore.

Ai tha se në mungesë të prodhimit vendor në bujqësi, kosovarët importojnë rreth 560 milionë euro produkte bujqësore në vit. Hoti po ashtu theksoi se ka trend rënës dhe të investimeve të jashtme direkte si pasojë e korrupsionit i cili është i pranishëm tek ne dhe se investimet e jashtme po bien me rreth 21 për qind çdo vit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)