LDK asnjëherë nuk ka marrë kredi nga asnjë bankë
Prishtinë, 22 maj - Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka sqaruar për opinionin publik se informata e dhënë dje nga Transmetuesi publik i Kosovës, që i referohej Grupit për Studime Juridike dhe Politike, se LDK-ja ka marrë një kredi në shumën prej 24 mijë eurosh, është plotësisht e pavërtetë.
Lidhja Demokratike e Kosovës thekson se asnjëherë nuk ka aplikuar dhe nuk ka marrë kredi nga asnjë bankë.
LDK-ja e respekton në tërësi Ligjin mbi Financimin e Subjekteve Politike në financimin e aktiviteteve të saj të rregullta dhe ato zgjedhore.
LDK-ja bën thirrje që të konsultohen raportet financiare vjetore të LDK-së, si dhe raportet financiare të zgjedhjeve, të audituara nga auditorë të pavarur, të angazhuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor, për ti mësuar të gjitha burimet e financimit të LDK-së.
LDK-ja e konsideron joprofesional një studim që nuk i drejtohet subjektit për të cilin flet, si dhe raportim joprofesional dhe tendencioz çdo raportim që, në raste të tilla, nuk merr parasysh më shumë se një burim për të dëshmuar pretendimet e shtuara.
LDK-ja, edhe në këtë rast, bën thirrje për profesionalizëm dhe korrektësi nga të gjitha palët, me qëllim që secili të përmbushë misionin që ka.