LDK: ASK manipulon dhe mashtron me të dhëna

Prishtinë, 1 maj - Këshilli i Ekspertëve i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) vlerëson se statistikat për të papunët të prezantuara nga Agjencioni i Statistikave nuk prezantojnë gjendjen reale.
Vlerësimet se papunësia ka rënë me 10% sipas LDK-së shprehin naivitetin e zyrtarëve të këtij agjencioni dhe tregojnë se ky agjencion po bëhet dorë e zgjatur e qeverisë.
LDK vlerëson së të dhënat nga Administrata Tatimore dhe Trusti Pensional tregojnë vendet e reja të punës të krijuara brenda vitit ka rënë nga rreth 16,000 vende pune sa janë krijuar në vitin 2010, në vetëm 6,000 në vitin 2012.
Kjo është një rënie e punësimeve të reja për 63%. Duke ditur se rreth 25,000 qytetarë i bashkëngjiten tregut të punës çdo vit, atëherë rezulton se nga viti 2010 papunësia është rritur.
Të gjitha statistikat e tjera sipas LDK-së e mbështesin këtë konstatim.
Rritja e prodhimit të brendshëm ka rënë nga 5% në vitin 2011 në vetëm 2.7% në vitin 2012, pra është përgjysmuar rritja. Eksportet në vitin 2012 kanë rënë me 15% krahasuar me vitin 2011, që është shenjë se prodhimi vendor ka rënë dhe më pak firma veprojnë në treg, duke rritur kështu numrin e të papunëve. Investimet e reja kanë rënë nga 8.8% sa kanë qenë në vitin 2010, në 4.4% në vitin 2012, që nënkupton se më pak vende pune janë krijuar. Investimet e jashtme në vitin 2012 kanë rënë me 13% krahasuar më një vit më parë.
\"Të dhënat e prezantuara nga Agjencioni kanë plot kontradikta dhe konstatime jo logjike, se numri i personave që janë jo aktiv është më i lartë se në vitin 2009. Nëse kjo është e qëndrueshme, atëherë më pak njerëz kërkojnë punë pasi gjasat për të gjetur punë janë shumë të ulëta. Rrjedhimisht, papunësia është ulur për shkak se njerëzit nuk po kërkojnë punë, e jo pse kanë gjetur një punë\", thekson me tutje LDK.
Pavarësisht manipulimit me të dhëna, Agjencioni i Statistikave sipas LDK-së nuk mundi të fsheh faktin se vetëm 10% të femrave dhe të rinjve janë të punësuar.
\"Pra, si mund të jetë rritur punësimi pa rritjen e punësimit të femrave, që përbëjnë gjysmë e popullsisë, dhe rritjen e punësimit të të rinjve, që përbënë rreth 25% të fuqisë punëtore?\"
\"Kujtojmë se ky agjencion, që duhet të jetë plotësisht i pavarur, para dy vitesh është futur brenda ombrellës së zyrës së kryeministrit. Me atë rast, qeveria nga viti 2009 e stopoi anketën e tregut të punës, e cila çdo vit i nxirrte në shesh dështimet e qeverisë në uljen e papunësisë\".