LDK: Ahmeti keqmenaxhon 80 mijë euro të buxhetit të Komunës
Prishtinë, 7 shkurt - Lidhja Demokratike e Kosovës dega në Prishtinë vlerëson se përpjekja nga Shpend Ahmeti dhe bashkpunëtorët e tij për denigrimin e njerëzve që mendojnë ndryshe po bëhet me qëllim të zhvendosjes së vëmendjes të qytetarëve nga problemet dhe keqpërdorimet serioze të qeverisë të Komunës së Prishtinës.
Agim Gashi shef i grupit te asambleistëve të LDK në Prishtinë ka thënë se e vërteta është se ky kryetar dhe ekipi i tij në Komunën e Prishtinës nuk janë vetëm gënjeshtarë.
\"Ata janë edhe hipokritë. Ndoshta edhe më shumë se kaq. Ata nuk i kanë vetëm dy fytyra, por disa sosh\", ka thënë Gashi.
Fytyra e tyre e vërtet sipas tij po del në pah çdo ditë dhe për këtë po i referohemi disa fakteve të zbuluara nga Auditori i Përgjithshëm.
Të gjeturat e Auditorit të Përgjithshëm për Komunën e Prishtinës gjatë vitit 2015 janë të shumta.
Disa nga të gjeturat kanë të bëjnë edhe me parregullsitë e identifikuara në ndarjen e subvencioneve për persona fizik dhe juridik.
Kjo sipas Gashit krijon bazën e dyshimit për vepra penale të kryera nga kryetari i komunës me rastin e nxjerrjes së vendimeve për ndarje të subvencioneve, sepse bëhet fjalë për shkelje procedurale dhe materiale për 13 përfitues të subvencioneve për projekte në vlerën prej 79,868 .
Auditori i Përgjithshëm në raportin për vitin 2015 na thotë faktet si vijon:
Në rastin e përkrahjes së projektit Studimi i florës dhe faunës në parkun Gërmia në vlerë totale prej 15,000 për dy persona, pagesave nuk i kanë të bashkangjitura: rekomandimin, kërkesën formale, projektin dhe raportin kthyes. Për më tepër, kontrata është lidhur pas përfundimit të studimit. Qëllimi i shpenzimit ishte shpallja e parkut të Gërmisë si pejzazh i mbrojtur kategoria 5, që nuk përkon me qëllimin e subvencionimit sipas rregullores.
Pagesa për ETEA në vlerë 5,000 ishte bërë në muajin gusht, edhe pse projekti Dita botërore e muzikës në Prishtinë ishte realizuar në muajin qershor.
Një shumë prej 1,000 i është dhënë subvencion për botimin e një libri në llogarinë personale të përfitueses. Përfituesja e subvencionit nuk është banore e Prishtinës.
Kryetari kishte marr vendim për subvencionim të orkestrës kamertale në vlerë prej 10,000, edhe pse kërkesa nga orkestra kamertale ishte 5,940 . Për më tepër, është kërkuar mbulimi i shpenzimeve të mëditjes për 25*50 (1250 ), akomodimi, biletat, telefonat, reklamat etj., dhe pagesa e këstit të parë nuk ka të bashkangjitur raport kthyes.
OJQ Artpolis ishte subvencionuar me 3,500 për mbajtjen e festivalit FEMFEST. Ekzekutimi i projektit nuk ishte kryer brenda afatit. Në këso raste, me kontratë parashihet ndërprerja dhe kthimi i parave.
Komuna kishte financuar OVL-UÇK në vlerë 2,350 për projekte që kishin përfunduar. Subvencioni ishte kërkuar për shënimin e 18 Prillit - Ditës së Dëshmorëve të Komunës, ndërsa pagesa ishte bërë në muajin qershor.
Në rastin APK - 4,000 për organizimin e panairit të librit 1-6 qershor të këtij viti, komuna kishte marr vendim dhe kishte lidhur kontratë me vonesë dhe pagesa ishte bërë në muajin e shtator, pasi që projekti kishte përfunduar.
Në dy pagesa prej 13,000 për klubin hendbollistik Prishtina, mungon rekomandimi i komisionit, kërkesa formale dhe raporti kthyes.
Me rastin e subvencionimit për Sport Marketing në vlerë prej 10,000 për aktivizimin sezonal të liqenit të Gërmisë, komuna nuk kishte pranuar asnjë projekt, rekomandim nga komisioni, e as nuk kishte marrëveshje me përfituesin. Qëllimi i pagesës është mbulimi i borxheve për shkak të vështirësive financiare të kësaj kompanie që nuk përputhet me qëllimin e subvencionimit sipas rregullores.
Subvencionimi për ekskursionin e shërbyesve civil në Durrës/Shqipëri në vlerë 5,000 për shpenzime të akomodimit dhe transportit, nuk përputhet me qëllimin e subvencionimit.
Për pagesën prej 10,000 për teatrin Dodona nuk ka projekt, nuk ka kërkesë, rekomandim të komisionit dhe vendimi është për vlerën 20,000 , ndërsa pagesa është e pjesshme.
Me rastin e subvencionimit për shoqatën e filozofëve të Kosovës në vlerë 1,000 , pagesa ishte bërë pas përfundimit të ngjarjes dhe nuk ka raport kthyes.
Me dy pagesa në vlerë 18,000 komuna e kishte subvencionuar kompaninë Trafiku Urban për shpenzime të naftës, paga të punëtoreve dhe borxhe tjera. Lënda nuk ka të bashkangjitur rekomandimin e drejtorisë përkatëse, kontratën apo një raport kthyes për paratë e harxhuara.
\"Këto të dhëna për keqmenaxhimin e parasë publike janë vetëm disa nga arsyet që kryetari i Prishtinës, deri më sot nuk u ballafaqua me Kuvendin e Komunës, sepse keqmenaxhimi dhe dështimet e vazhdueshme gjatë qeverisjes tre-vjeçare nuk është lehtë të arsyetohen para këshilltarëve dhe opinionit të gjerë\", ka theksuar Gashi.