LB: Të ndërpritet financimi i jashtëligjshëm i Listës Serbe
Prishtinë, 4 shkurt - Me vendimin e datës 13 janar 2015 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që nga Buxhetit i Republikës së Kosovës, përmes Fondit për Mbështetjen e Subjekteve Politike, Listës Serbe ti ndaj buxhet për vitin 2015 në lartësi prej 315.000.00 Euro.
Lëvizja për Bashkim (LB) konsideron se ky vendim parqet shkelje flagrante të Ligjit Nr.03/L-174, ligj për financimin e subjekteve politike, përkatësisht nenit 9 të këtij ligji; gjithashtu paraqet shkelje të Ligjit Nr.03/L-073, ligj për zgjedhjet e përgjithshme, përkatësisht nenit 19, pika 1 dhe 2 të këtij ligji, si dhe shkelje të Rregullores Nr.01/2008 të KQZ-së, përkatësisht neni 2, pika 2.4 të kësaj rregulloreje.
Lista Serbe përmes kësaj forme të shkeljes së ligjit nga Buxheti i Kosovës për mandatin katërvjeçar do të përfitojë 1.260.000.00 Euro.
Lista Serbe është certifikuar për zgjedhjet e përgjithshme 2014, por ajo nuk është regjistruar si subjekt politik, sepse nuk e njeh Republikën e Kosovës e as institucionet e simbolet e saj.
Kur ti shtohen kësaj veprimet politike të Listës Serbe kundër Kosovës dhe pavarësisë së saj, atëherë ky shpërdorim i Buxhetit të Kosovës vjen e bëhet edhe i rrezikshëm politikisht.
Andaj, Lëvizja për Bashkim kërkon nga KQZ-ja që ta rishqyrtojë vendimin e datës 13.1.2015, vendim ky për caktimin e lartësisë së mjeteve nga fondi për Financimin e Subjekteve Politike dhe ta marrë vendimin meritor, në përputhje me ligjet në fuqi, - ta largojë Listën Serbe, si Nismë Qytetare, nga Regjistri i Partive Politike, ku ka hy jashtë çdo procedure ligjore, e, rrjedhimisht, tia ndërpres financimin e paligjshëm.
Në të kundërtën, ftojmë Prokurorinë e Kosovës që me urgjencë ti hetojë këto shkelje të ligjit dhe ti konstatojë motivet e vërteta të këtij shpërdorimi të Buxhetit të Republikës së Kosovës.