LB mbështet aksionet kundër uzurpatorëve
Prishtinë, 6 maj - Sot, nga Policia e Kosovës u ndërmorën aksione policore për të liruar pronat e uzurpuara në dy qytete të Kosovës, Prishtinë dhe Ferizaj.
Uzurpimi i pronave është një fenomen i cili përveç që ka dëmtuar personalisht individët, si pronarë legjitim të tyre, ka dëmtuar jashtëzakonisht shumë edhe ekonominë e vendit. Shumë prej këtyre pronave të uzurpuara kanë për pronarë investitorë nga diaspora të cilëve, me këtë rast, u është pamundësuar investimi në to për vite me radhë. Përveç kësaj, dëmtimi i imazhit të Kosovës si vend për investime ka ndikuar që edhe shumë potencial investues nga jashtë, qoftë i huaj apo i diasporës sonë, të shkojë në drejtime të tjera apo të mbetet peng i një situate të tillë. Pra, një potencial i madh investues nga jashtë, që do të prodhonte shumë vende pune dhe do të sillte zhvillim shumë më të madh ekonomik, për vite të tëra ka mbetur peng i disa individëve uzurpatorë.
Lëvizja për Bashkim i mbështetë fuqishëm këto aksione të prokurorisë dhe policisë së vendit në funksion të kthimit të pronës pronarëve legjitim dhe kërkon që aksionet e tilla të mos ndalen deri në largimin e uzurpatorit të fundit nga prona e uzurpuar. Pa zhdukjen e fenomenit të uzurpimit dhe pa çlirimin e ekonomisë nga krimi nuk mund të presim zhvillim në vend.