Lansohet programi i vetë punësimit për rajonin e Mitrovicës
Mitrovicë, 12 shkurt - Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ambasadën Finlandeze në Prishtinë, ka prezantuar të gjeturat e analizës së sektorit privat dhe ka lansuar Programin e vetëpunësimit për rajonin e Mitrovicës.
Në këtë prezatim, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka thënë se ky program, i cili është vazhdimësi e fazës së parë të Programit të vetëpunësimit, tashmë të realizuar me sukses në rajonet e Gjilanit, Prishtinës dhe Prizrenit, ka për qëllim të mbështesë punëkërkuesit që të jetësojnë idetë e tyre të biznesit të cilat sjellin risi në treg.
Përmes granteve do të mbështesim punëkërkuesit me ide unike biznesi të cilët sigurojnë mundësi të qëndrueshme punësimi për veten e tyre dhe punëkërkues të tjerë të papunë, ka thënë Abrashi duke shprehur njëheri falënderimet e tij për partnerët implementues.
Me këtë rast Zëvendëspërfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së, Alessandra Roccasalvo, ka theksuar rëndësinë që ka krijimi i mundësive të reja për zhvillim dhe punësim në sektorin privat në ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme. Ajo ka prezantuar njëheri edhe angazhimin e UNDP-së në këtë drejtim.