18 Nëntor 2024

Lansohet asistenca Suedeze për Kosovën 2014 - 2020

Prishtinë, 30 prill - Ministrja e Integrimit Evropian, Znj. Vlora Çitaku dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Bashkëpunimit për Zhvillim Ndërkombëtar, nga Ministria e Punëve të Jashtme e Suedisë, Znj. Anne Sofie Nilsson, e lansuan së bashku Strategjinë Suedeze 2014-2020  për Bashkëpunim Zhvillimor me Kosovën.

Ministrja Çitaku, në fjalën e saj tha se Suedia mbetet një nga partnerët tanë kryesor në botë. Që nga njohja e pavarësisë, Suedia ka qenë një mbështetës i rëndësishëm i Kosovës në rrugën për integrim në BE.

\"Përtej dialogut tonë politik, Strategjia për Zhvillim, e miratuar rishtazi, ka identifikuar 3 prioritetet kyçe për 2014-2020 dhe ka ndarë rreth 70 milion Euro për zbatimin e Strategjisë.\"

\"Këto prioritete janë në përputhje të plotë me agjendën e Kosovës për zhvillim dhe pasqyrojnë përparësitë natyrore krahasuese dhe njohuritë “know how” të  Suedisë në sektorët përkatës”, ka thënë Çitaku.

Gjatë konferencës, Drejtoresha e Përgjithshme, Znj. Nilsson tha se Suedia është partneri kyç për integrimin e Kosovës në BE dhe i jep rëndësi strategjike procesit të zgjerimit si instrument kryesor për krijimin e sigurisë, demokracisë dhe prosperitetit të Evropës. 
 
Suedia sipas saj ka ofruar mbështetje të rëndësishme afat-gjate për vendet e Ballkanit Perëndimor, në disa raste për më shumë se 10 vjet.

\"Me strategjinë e re, është ndërmarrë një hap tjetër në zhvillimin e mbështetjes për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës. Strategjia e re paraqet një angazhim afatgjatë dhe ka një fokus edhe më të fuqishëm në mbështetjen e procesit të integrimit të Kosovës në BE”, ka theksuar Nilsson.
 
Objektivi i përgjithshëm i Bashkëpunimit Suedez për Zhvillim me Kosovën ka qenë, dhe mbetet, për të lehtësuar integrimin në BE dhe kontributi për stabilitetin e vendit dhe rritjen ekonomike.

Kjo asistencë ka filluar kryesisht si një përpjekje humanitare dhe për rindërtim, por që atëherë është zhvilluar në përpjekje për ngritjen e kapaciteteve me synim forcimin e kapaciteteve të Kosovës që të përballet me procesin e integrimit Evropian.

Asistenca Suedeze në Kosovë kryesisht realizohet përmes Agjencisë Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida). Asistenca që nga viti 2009 është fokusuar në tre sektorë - mjedisi dhe klima, arsimi si dhe qeverisja demokratike dhe të drejtat e njeriut. Përzgjedhja e sektorëve është bazuar në objektivat dhe nevojat prioritare të vetë Kosovës.

Sa i përket vëllimit, bashkëpunimi suedez për zhvillim me Kosovën për periudhën 2009-2012 ka ndarë mesatarisht 9 milion euro për vit. Për më tepër, kontributi suedez për delegimin e stafit të EULEX-it për të njëjtën periudhë kohore ka shënuar mesatarisht rreth 10 milion Euro për vit.

Një strategji e re për bashkëpunim Suedez për zhvillim me Ballkanin Perëndimor, Evropën Lindore dhe Turqinë për periudhën 2014-2020 është miratuar nga qeveria suedeze në mars të vitit 2014. Përmes strategjisë, Suedia ndërmerr një angazhim afatgjatë që t`i përkrahë këto vende në përpjekjet e tyre për tu integruar më afër BE-së.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)