Lagarde zgjidhet për një mandat të dytë në krye të FMN-së
Washington, 20 shkurt - Christine Lagarde është zgjedhur për të shërbyer për një mandat të dytë pesëvjeçar në krye të FMN-së.
Lagarde, kandidatja e vetme për këtë post, do ta fillojë mandatin e dytë më 5 qershor.
FMN-ja tha në një njoftim të premten se vendimi është marrë me konsensus nga bordi ekzekutiv.
Pas zgjedhjes, znj. Lagarde u shpreh në një deklaratë: \"Jam e kënaqur që m\'u dha mundësia për të drejtuar FMN-në si Drejtore Menaxhuese për një mandat të dytë prej pesë vjetësh, dhe e vlerësoj shumë besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Bordit Ekzekutiv të Fondit dhe të 188 vendeve tona anëtare.\"
FMN-ja e vlerësoi drejtimin e Christine Lagarde-it gjatë mandatit të saj të parë. \"Zonja Lagarde ka forcuar aftësinë e Fondit për të mbështetur anëtarët e tij me këshilla lidhur me politikat, forcimin e kapaciteteve, dhe financimin.\"
\"Ajo gjithashtu ka luajtur një rol të rëndësishëm në rigjallërimin e marrëdhënieve të Fondit me anëtarët e tij në shkallë globale, duke përfshirë edhe tregjet e reja dhe ato në zhvillim,\" tha në një deklaratë drejtuesi i Bordit të FMN-së Aleksei Mozhin.