Lagarde paralajmëron rënie të rritjes ekonomike botërore
Ndërkohë, Lagarde bëri të ditur se parashikimet e FMN-së për rritjen ekonomike që do të publikohen javën e ardhëshme, mund të shënojnë rënie.
"Në përgjithësi vërehet një dobësim i rritjes në 6 muajt e fundit të vitit, që është ndikuar nga 3 faktorë: modeli i ri i balancimit të biznesit i Kinës dhe një ngadalësim i rritjes ekonomike si pasojë e kësaj; çmimet e ulta për një periudhëtë gjatë kohe dhe politikat shtrënguese financiare në shumë vende", theksoi Lagarde.
Lagarde tha sot se bota ka nevojë të bashkëpunojë në mënyrë që të kapërcejë sfidat globale ekonomike që përfshijnë rritjen e ngadaltë, çmimet e ulta të mallrave dhe shtrëngimet e mundshme financiare nga shumë qeveri.
Në një fjalim që mbajti në Frankfurt, zonja Lagarde tha se "rritja ka qënë tepër e ulët për një kohë të gjatë," me efekte që nuk favorizojnë shumë njerëz dhe që mund të kenë pasoja të mundshme për indin social dhe politik ntë shumë vendeve.
"Më lejoni ta them qartë: Nuk dua të jap alarmin, por po them se jemi të shqetësuar. Ka patur një humbje të vrullit të rritjes, por ne besojmë se në qoftë se politikë-bërësit vendosin të veprojnë së bashku për të përballuar sfidat, efektet pozitive për besimin global dhe ekonominë globale mund të jenë të mëdha dhe ne mund të na kthejnë në rrugën e duhur. \"
Ajo dha hollësi mbi sfidat mes ekonomive të avancuara, përfshi dollarin e fuqishëm që kufizon rritjen në Shtetet e Bashkuara, investimet e ulta dhe papunësinë e lartë në vendet e eurozonës dhe një kombinim të rritjes së ulët dhe inflacionit që po dëmton ekonominë japoneze.
Por zonja Lagarde theksoi edhe ato që i quajti pika inkurajuese. India, tha ajo ka rritje të fuqishme dhe rritje të të ardhurave. Në Azinë juglindore, Indonezia, Malajzia, Filipinet, Tajlanda dhe Vietnami po ecin mirë.
Për të shtuar këto arritje, ajo u bëri thirrje të gjitha vendeve të bëjnë pjesën që u takon në mënyrë që të rriten shanset për një rritje të rëndësishme globale.
Ajo tha se Shtetet e Bashkuara duhet të rrisin pagën minimale dhe të ulin taksat për njerëzit me të ardhura të pakta në mënyrë që të shtojnë punësimin, ndërsa vendet e euros duhet të krijojnë programe më të mira trajnimi për të ndihmuar të rinjtë të gjejnë vende pune.